Në këtë vend vazhdojnë masat e izolimit deri më 25 prill

Në këtë vend vazhdojnë masat e izolimit deri më 25 prill

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, njoftoi të shtunën se vendi i tij do t’i vazhdojë masat e rrepta të izolimit së paku deri më 25 prill.

“Stabilizimi i gjendjes ishte qëllimi ynë kryesor. Jemi duke u afruar, por kërkon nga secili sakrificë dhe rezistencë. Qëllimi i radhës është zvogëlimi i mëtutjeshëm i infektimeve derisa shifra e të infektuarve të rinj të jetë më e ulët se numri i personave të shëruar për çdo ditë”, tha Sanchez gjatë një fjalimi në televizion.

Spanja ndodhet në vendin e dytë për numrin e viktimave dhe të infektuarve me koronavirus në botë. Deri më tani, në këtë shtet kanë vdekur 11,744 persona, kurse mbi 124 mijë janë infektuar.

Masat e izolimit në Spanjë fillimisht nisën të zbatohen më 14 mars dhe tashmë do të jenë në fuqi për së paku 45 ditë, shkruan “Anadolu”.

Ky shtet i ka ndër masat më të rrepta të izolimit. Ndryshe nga shumë vende, atje nuk lejohet dalja nga shtëpia për të bërë ushtrime fizike.

Ndryshe, mbi 1.2 milion njerëz janë infektuar me koronavirus në mbarë botën dhe më shumë se 64 mijë kanë vdekur./Insajderi.com