Në komunat veriore nuk do ketë rritje të çmimit të energjisë

Në komunat veriore nuk do ketë rritje të çmimit të energjisë

Katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe nuk janë pasqyruar në raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Këtë e ka konfirmuar të martën kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

I pyetur se pse pjesa veriore e vendit nuk është përfshirë në raportin e ZRRE-së, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri, ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguan Qeveria e KOSTT-i.

“Edhe ajo pjesë ka qenë e përfshirë në tarifat e energjisë elektrike deri në vitin 2018. Avokati i Popullit ka ngrit një ankesë dhe e ka paditë ZRRE-në për të cilën jemi në proces gjyqësor”, u shpreh ai.

“Ajo kosto nga dhjetori i vitit 2017 është hequr apo nuk është barrë e konsumatorëve dhe ka kaluar përmes buxhetit të Kosovës, pastaj është mbuluar nga KOSTT-i dhe ZRRE-ja. Meqenëse ia ka ndaluar gjykata që ta përfshijë këtë kosto, ne nuk e kemi marrë parasysh as në kalkulimet e mëhershme meqenëse jemi në proces gjyqësor”.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala ka pyetur kryesuesin e ZRRE se kush është autor i këtij raporti për rritjen e tarifave.

Deputeti Shala ka pyetur po ashtu se a ka bazë ligjore futja e 75 milionë euro nga qeveria për këtë rritje të tarifave.

“Ka ndërhyrje nga ana e Qeverisë në ZRRE, nuk ka bazë ligjore”, tha ai.

Pas kësaj, Fejzullahu ka thënë se autor janë ZRRE-ja dhe bordi i saj është përgjegjës.

Duke mohuar se ka ndërhyrje nga qeveria me subvencione në ZRRE, pasi sipas tij mbështetje ka pasur edhe nga qeveritë e kaluara./Insajderi.com