Në kufi ndalen vetëm ata që kanë dënime të formës së prerë nga gjykata

Në kufi ndalen vetëm ata që kanë dënime të formës së prerë nga gjykata

Qytetarë të shumtë janë ankuar se janë ndalur në pika kufitare për shkak të dënimeve që i kanë marrë për kundërvajtjet në trafik.

Kjo masë po shihet si shkelje e të drejtave të njeriut, derisa policia sqaron se bëhet fjalë vetëm për vendime gjyqësore të formës së prerë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas shumë ankesave të qytetarëve të cilët thonë që janë ndaluar nëpër pikat kufitare të Kosovës me orë të tëra për shkak të dënimeve të papaguara, kryesisht të trafikut.

Haxhiu ka thënë që gjobat duhet të paguhen, por autoritetet nuk kanë të drejtë që të ndalin qytetarët nëpër pika kufitare vetëm për këtë arsye dhe pa vendime të gjykatave apo pa njoftim paraprak.

Nga ana tjetër, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka deklaruar se ndalimi nga policia bëhet vetëm me kërkesë të institucioneve të drejtësisë. “Ne vetëm zbatojmë vendimet e gjyqësorit. Bëhet fjalë për ato dënime që kanë marrë vendime gjyqësore”, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës sqaron se çdo person i cili ka masë ndëshkuese, varësisht prej shkeljes, veprës së kryer, ndaj të cilit është marrë vendim nga organet e drejtësisë, (urdhëresë te gjykatës) nëse i njëjti nuk iu është përgjigjur vendimit, atëherë vendoset në sistem dhe mund të ndalohet si në hyrje, ashtu edhe në dalje të Republikës së Kosovës.

Qytetarët dhe bashkatdhetarët të cilët nuk kanë paguar gjobat me kohë, po ndalohen në pikat kufitare nga policia. Këtë e ka konfirmuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të Njeriut. Kjo për KMDLNJ po konsiderohet si shkelje e drejtave të njeriut.

Autoritetet e Kosovës kanë futur në sistem qytetarët dhe bashkatdhetarët që kanë ndëshkime të ndryshme me gjoba, e të cilat pas një kohe kthehet në vendim për burgim.

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se përveç që është shkelje e të drejtave të njeriut, nuk është e logjikshme që qytetarët e Kosovës të ndalohen qoftë në ardhje ose në shkuarje në pikat kufitare.