PDK akuzon LVV-në për aferën e përgjimeve

PDK akuzon LVV-në për aferën e përgjimeve

Luljeta Veselaj-Gutaj, deputete e PDK-së në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës ka ngritur shqetësimet për mënyrën e qeverisjes në Prishtinë si dhe ka diskutuar për përgjimet e fundit ku janë të implikuar zyrtarët e partisë së Albin Kurtit.

“Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë mënyrën e qeverisjes në Prishtinë. Duke qenë se Prishtina na përfaqëson të gjithëve, si kryeqytet, dëshiroj të them se jemi të shqetësuar me zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinës. Publikimi i përgjimeve të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, të cilët janë përfshirë në një aferë pazaresh me pronën komunale, tregon më së miri se si ka vepruar kjo parti dhe qeverisja e kaluar komunale me Prishtinën”, ka thënë deputetja Veselaj-Gutaj.

Sipas saj, kjo tregon dhe e fakton, atë që PDK-ja e kishte thënë vitin e kaluar në disa raste dhe e kishte prezantuar me fakte.

“Çfarë po del tash është thuajse e njëjta, por me fakte plotësuese dhe edhe më inkriminuese Protagonistët e këtij përgjimi janë Nexhat Kryeziu, Drejtori i Ndërmarrjes Banesore në Prishtinë, ish kandidat për deputet dhe ish kandidat për kryetar të komunës së Malishevës nga LVV, kurse i dyti është Liridon Latifi kryesuesi i Bordit të kësaj ndërmarrjeje dhe aktivist i dhunshëm i LVV-së”, ka thënë Në fakt e gjitha.

Sipas deputete, anulimi i konkursit për dhënien me qira të lokaleve afër Katedrales në Prishtinë, për shkak se dy militantë të LVV-së, nuk kanë përfituar në konkurs, tregon qartë se jo vetëm ne NPB por edhe në të gjitha institucionet e komunës së Prishtinës është manipuluar kështu, duke i rehatuar militantët partiak, e duke u dhënë tender bizneseve mbështetëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Siç e dimë të gjithë, vetëm në mandatin e parë mbi 400 aktivistë të VV-së, e që tash janë ndarë në dy tabore politike, janë rahatuar nëpër institucionet komunale, pa asnjë konkurs”, ka thënë deputetja Veselaj-Gutaj, duke shuar se protagonisti Liridon Latifi në audio incizim thotë se “konkursi duhet të rrëzohet dhe t’u rriten pikët këtyre dy aplikuesve që përmenden si financues dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje’’.

“Keqpërdorimi i zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje me pushtetin, eliminoi 190 biznese që kishin aplikuar për marrjen me qira të lokaleve të Komunës se Prishtinës në lagjen Pejton. Ky veprim i zyrtarëve të lartë të LVV-së, sigurisht me urdhrin e Albin Kurtit, tregon se ky subjekt politik ka tentuar të rrënoj çdo gjë në këtë vend, për të ardhur në pushtet e përmes pushtetit të keqpërdor edhe më shumë. Si pasojë e këtyre veprimeve, qytetarët e Prishtinës, si në mandatin e kaluar edhe në këtë mandat po vuajnë nga padrejtësitë që po u bëhen ndërtuesve dhe bizneseve, ndërsa qytetarët e rëndomtë po marrin shërbime të dobëta nga Komuna e Prishtinës. Kërkojmë nga organet e rendit dhe drejtësisë të zhvillojnë hetimet dhe keqpërdoruesit e pozitave zyrtare që janë brenda institucioneve të komunës se Prishtinës të vihen para drejtësisë”.

Veselaj-Gutaj tha se PDK në Prishtinë nuk do të përkrah sjelljen hakmarrëse që po bënë LVV-ja kundër PSD-së dhe Shpend Ahmetit, siç nuk do të përkrah as neglizhencën dhe ikjen nga përgjegjësia që po e bënë kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

“Gjithashtu, nga asamblistët tanë në komunën e Prishtinë kemi mësuar se kryetari i Prishtinës, pra i kryeqytetit po e injoron në tërësi kuvendin komunal dhe po ikë nga përgjegjësia që e ka për shumë probleme. Kërkojmë që Shpend Ahmeti të përgjigjet për situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës, si dhe të sillet me përgjegjësi vendimmarrëse për 100 probleme të qytetarëve të Prishtinës. I sigurojmë qytetarët e Prishtinës se PDK nuk do të jetë parti bllokuese në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Përkundrazi, aty ku kërkohet ndihmë nga ne do të ndihmojmë dhe mbrojmë interesat e qytetarëve të Prishtinës”.