fbpx

Në Malishevë investohet për zgjerimin e sistemit të ujitjes

Në Malishevë investohet për zgjerimin e sistemit të ujitjes

Në Komunën e Malishevës do të bëhët rehabilitimi dhe zgjerimi i sistemit të ujitjes, shkruan Insajderi. Këtë investim do ta bëjë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me qëllim të rritjes së rendimenteve në prodhimtarinë bujqësore dhe në zvogëlimin e dëmeve të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Kjo ministri ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi dhe Komunën e Malishevës për të mundësuar ndërtimin e kanalit për ujitjen e fshatit Banjë.

Me këtë rast, ministrja e MBPZhR-së, Dijana Zivic, ka treguar se deri më tash kjo ministri ka arritur të ndërtojë kanale të ujitjes dhe të zgjerojë shumë sisteme  ekzistuese nëpër të gjitha komunat e Kosovës e këto investime ajo tha se do të vazhdojnë t’i bëjnë në vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme.

“Përfshirja e sipërfaqeve të reja nën ujitje përbën prioritet për ministrinë dhe  investimet për rregullimin e sistemeve të ujitjes do të vazhdojnë të bëhen edhe në të ardhmen”, ka thënë Zivic.

Në anën tjetër, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës, ka vlerësuar këtë projekt, duke thënë se investimet e tilla janë të domosdoshme për zhvillimin e  bujqësisë në këtë komunë.