Në një letër të hapur nga Talebanët u kërkohet SHBA-së të respektohet marrëveshja e Doha-s

Në një letër të hapur nga Talebanët u kërkohet SHBA-së të respektohet marrëveshja e Doha-s

Talibanët kanë botuar një letër të hapur duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të respektuar marrëveshjen e Doha-s në lidhje me tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga Afganistani, transmeton Inajderi.

Letra u botua të martën, një ditë para një takimi midis ministrave të mbrojtjes të NATO-s për të diskutuar situatën e forcave të aleancës të vendosura në vend, raporton Al Jazeera.

Talibanët u bënë thirrje SHBA-së që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e Doha-s, duke përfshirë tërheqjen e të gjithë trupave dhe personelit ndërkombëtar, duke thënë se ishin angazhuar në anën e tyre të marrëveshjes.

“Tani që ka kaluar një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes në Doha, ne i bëjmë thirrje palës amerikane të mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje”, thuhet në deklaratë.

Letra, e nënshkruar nga nënkryetari i Talibanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar, paralajmëronte se grupi nuk do të lejonte askënd të ndërhynte në punët e Afganistanit.

“Emirati Islamik i Afganistanit nuk ndërhyn në punët e brendshme të të tjerëve, as nuk dëshiron të dëmtojë të tjerët, as nuk do të lejojë askënd tjetër të ndërhyjë në punët tona. Mbrojtja e tokës dhe popullit tonë është e drejta jonë legjitime”, përfundoi deklarata.

Në marrëveshjen e Doha-s, Talibanët u angazhuan për bisedime paqësore me qeverinë afgane dhe për të zvogëluar ndjeshëm dhunën. Në anën tjetër, SHBA-të u zotuan të tërheqin të gjitha trupat ndërkombëtare deri në prill të këtij viti.

Sidoqoftë, konflikti i dhunshëm ka vazhduar në Afganistan. Administrata e re e SHBA-së nën presidentin Joe Biden po rishikon marrëveshjen e nënshkruar me Talibanët në shkurt 2020, e cila kishte për qëllim t’i jepte fund luftës më të gjatë në historinë amerikane.

Të hënën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleanca nuk do të largohet nga Afganistani para se “koha të jetë e përshtatshme”. /Insajderi.com