“Në pushimin e ndeshjes ndaj Realit e kuptova se ‘e kishim punën pisk'”

“Në pushimin e ndeshjes ndaj Realit e kuptova se ‘e kishim punën pisk'”

Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka zbuluar një prapaskenë të finales së Ligës së Kampioneve në Kardif kundër Realit të Madridit. Ai tregon se çfarë pa kur u fut në dhomat e zhveshjes:

“Kur hyra në dhomat e zhveshjes e kuptova se e kishim pisk punën. Në njërin krah ishin doktorët që po ‘operonin’ Mandzukic, kavilja e të cilit ishte fryrë shumë, ndërsa në krahun tjetër ishte Pjanic, i cili ishte shtrirë dhe po mbante akull te gjuri. Boshnjaku më kërkoi që ta zëvendësoja, por të gjithë e pamë se ata u rikthyen në fushë”, ka thënë ai.

“Pavarësisht dëshirës së tyre të madhe, gjendja fizike nuk ishte aspak mirë. Mendoj se kjo ishte një ndër arsyet kryesore se pse Reali na dominoi aq shumë në pjesën e dytë”, ka shtuar ai.

Trajneri i kthehet përsëri ndeshjes, duke thënë: “Në pjesën e parë mbajtja e topit ishte e ekuilibruar, në të dytën dominoi Reali dhe ne gabuam shumë pasime, sepse lojtarët nuk ishin mirë fizikisht. Në finalen e Berlinit në 2015 gjithçka ishte ndryshe.”

Reali mposhti 4 me 1 Juven në finale, ndërsa loja u vendos në pjesën e dytë me madrilenët që shënuan plot tre herë, njofton Panorama Sport.

“Ne e kishim fituar kampionatin një muaj përpara se të mbyllej dhe për ne ishte shumë më e lehtë që ta përgatisnim këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Atje zhvilluam një lojë më të mirë dhe e vumë në vështirësi Barcelonën”.