fbpx

Në QKUK shpëtohet jeta e foshnjës 1 muajsh

Në QKUK shpëtohet jeta e foshnjës 1 muajsh

Mjekët në QKUK kanë kryer një operacion specifik, duke ndërhyrë te një foshnje më pak se një muajsh, e cila kishte probleme me frymëmarrje.

Fëmija kishte komplikime të lindura te muskuli i diafragmës dhe deri në ditën e operimit ishte mbajtur gjallë me respirator. Problemet e tilla paraqiten në një në dymbëdhjetë mijë fëmijë.

Pas konsultave mes Klinikës së Neonatologjisë dhe Kirurgjisë së Fëmijëve, në ditë e 28 të saj të lindjes, foshnja, që kishte një peshë prej 1800 gramë, i është nënshtruar intervenimit kirurgjik.

Drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, thotë se ky është një rast shumë i rrallë.

“Në bashkëpunim me kirurgët e Kirurgjisë Pediatrike foshnja është operuar, është kthyer në klinikë, ka qëndruar një javë dhe ka shkuar më pas në shtëpi me gjendje stabile, me peshë prej 2300 gramë. Është ky rasti i parë që operohet në moshën neonatale”, tha ai.

Kirurgu i Fëmijëve, Ardian Shefkiu, ndërkaq, tha se, në repartin ku punon, stafi mjekësor kryen operacione edhe më të ndërlikuara te fëmijët.

“Në Kirurgji të Fëmijëve kryhen operacione të mëdha, të cilat i shpëtojnë fëmijët. Kemi një ekip goxha të përgatitur, në kuptimin kirurgë të fëmijëve, neonatologë dhe anesteziologë, të cilët janë goxha në nivel”, tha Shefkiu.