Në Republikën Demokratike të Kongos shënohen 46 viktima nga një sulm i grupeve rebele

Në Republikën Demokratike të Kongos shënohen 46 viktima nga një sulm i grupeve rebele

Të paktën 46 persona humbën jetën të enjten në një sulm të përgjakshëm nga një grup rebel në pjesën verilindore të Republikës Demokratike të Kongos (DRC), bëri të ditur një zyrtar lokal për Anadolu Agency (AA).

Sulmi i kryer nga elementë të grupit rebel Forcat Aleate Demokratike të Ugandës (ADF) synoi kryesinë e Walese Vonkutu, një lokalitet afër provincës Kivu Veriore, ku forcat e armatosura kongoleze kanë luftuar rebelimin e ADF-së për më shumë se gjashtë vjet, transmeton Insajderi.

“U alarmuam për një sulm të ADF-së. Ata vranë disa persona të grupit etnik pigmies (një fis xhuxh). Informacioni i fundit tregon 46 të vdekur”, tha për AA, ministri i Brendshëm në provincën e pasur me ar Ituri, Adio Gidi.

Një mision do të dërgohet në zonë të premten për të “përcaktuar numrin përfundimtar”, tha ai, pa dhënë detaje të tjera.

Lokalitetet përreth territorit Beni, Irumu dhe Mambasa janë bërë qendër sulmesh të ADF-së për më shumë se një vit.

Rebelët e ADF-së, me origjinë nga pjesa verilindore e Ugandës në vitet 1990 kanë sulmuar dhe vrarë civilë si dhe personelin e OKB-së në lindje të Republikës Demokratike të Kongos gjatë viteve të fundit.

Më herët këtë muaj të paktën 22 civilë u vranë pasi rebelët sulmuan një fshat në territorin e Beni-t.

Mënyra e operimit të këtyre rebelëve është atipik: banorët vriten me thika, zakonisht në mbrëmje në shkurre, duke u kthyer nga arat ose në fshat gjatë natës.

Sipas OKB-së, shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve natyrore vazhdon të jetë shkak themelor dhe nxitës i konfliktit në lindje të vendit. Shumica e grupeve të milicisë kanë lënë mënjanë kërkesat e tyre politike dhe janë përfshirë në trafikimin e mineraleve. /Insajderi.com