Haveit" />

Në vendin ku gratë lindin ushtarë e burrat e bëjnë ushtrinë nevojitet parandalimi i lindjes

“E ngujuar në atë çfarë ROZË duhet të thotë dhe bëjë, më duhet pilula e së nesërmes për të mos u ndjerë e VRENJTUR”, kolektivi artistik Haveit, 8 mars 2016 (Pilula e së nesërmes)

Kjo është fjalia me të cilën kolektivi artistik “Haveit” nga Prishtina e kanë vënë si përshkrim në videon e tyre artistike për 8 marsin, Ditën e Gruas.

Ato shfaqen teksa në një banjo të zakonshme kosovare hanë “pilulat e së ardhmes” por në të vërtetë ato janë duke ngrënë sheqerka.

Filozofia e videos së tyre artistike është e thjeshtë por është produkt i një mentaliteti të komplikuar, por mbi të gjitha të prapambetur të shoqërisë kosovare, që nuk pranon ta zgjidh gruan nga konopi i pjellorisë.

Përtej marshimeve e fjalimeve të cilat tashmë kanë rezultuar të jenë të pasuksesshme, mbi të gjitha pa ndikim në shoqëri, ky kolektiv artistik zgjedh performancat dhe video performancat jo si formë nga e cila presin që të ndikohet dikush, por më shumë si një formë e reagimit që mbetë në mbamendjen kolektive të shoqërisë.

Sepse, ashtu si e shoh unë së paku, arti e tejkalon gjithçkafin pikërisht për shkak se nuk është i përbërë nga fjali ose veprime të cilat janë të përdorura aq shumë dhe nga gjithkush sa rëndësia  tyre humbet posa ato fjalë apo veprime marrin dhenë.

Për të tentuar të shkojmë direkt në temë, “Pilula e së ardhmes” nga “Haveit” është një thirrje me eho jo edhe aq të fortë sa fjalimet plot emocione me zmadhues zëri në sheshe apo televizione, për të vënë në pikëpyetje një gjë tepër absurde: lindjen apo “pjellën”qysh i referohet kjo shoqëri procesit të ardhjes në jetë të një njeriu.

E absurditeti i krejt kësaj historie është se  lindja në këtë shoqëri është një nga proceset që në të njëjtën kohë hyjnizohet por edhe përbuzet.

Ka jashtëzakonisht shumë fakte për këtë. Nëse i dëgjoni apo lexoni me kujdes deklaratat e të gjithëve prej prindërve në shtëpinë tuaj e deri tek njerëzit në qytet e kafehane, gruaja është një njeri i obliguar që të lind, e kjo është një gjë hyjnore, por hyjnia përfundon në momentin kur  del jashtë trupit të gruas.

Nëse dëgjojmë secilën deklaratë mbi ushtarët dhe ushtrinë gruaja është ajo që duhet të lindë ushtarë, ndërsa burri është ai që krijon ushtrinë.

Pra gruas i kërkohet të lind ushtarë, t’i bëjë ata gati për ushtri, normalisht vetëm në rast se ka lindur një djalë, por kur është puna e bërjes së ushtrisë, është burri ai që është komandant, është burri ai që harton strategjitë dhe mbi të gjitha është burri, ushtar hero i gjallë apo i vdekur.

Është burri, ushtar hero i rënë në luftë. Dhe meqenëse jemi në diskutimin e ushtrisë, le të kthehemi pak tek viti 1999 atëherë kur ushtria ishte krijuar dhe komandanti i saj, Adem Jashari, sakrifikoi të gjithë familjen e tij.

femra

Por në mbamendjen tonë kolektive, hero janë Adem, Hamëz e Shaban Jashari. Ama në mbamendjen tonë nuk ekziston asnjë emër i atyre që i kanë lindur këta ushtarë.

Sa prej jush e dini emrin e nënës së Adem Jasharit? Po të bashkëshortes së tij? Po numrin e grave të vrara nga Familja Jashari? Mos kërkoni në google, sepse tash do t’i kuptoni. Edhe e kuptoj që nuk i dini, sepse askush asnjëherë nuk i përmend ato.

Nëna e Adem Jassharit është Zahide Geci. Ka vdekur bashkë me djalin e tij. Adile Rama bashkëshortja e Adem Jasharit e Zarife Jashari, bashkëshortja e Rifat Jasharit. Ajo ka vdekur bashkë me vajzën e saj Valdeten 18 vjeçare dhe Igabllen 11 vjeçare.

Feride Mecini bashkëshortja e Hamëz Jasharit. Ka vdekur bashkë me katër vajzat e saja, 20 vjeçaren Selvete, Afeten, Lirien, Fatimen 9 vjeçe dhe Blerinën 7 vjeçe.

Krejt vajzat e vrara janë parandaluar nga fati i nënave të tyre, të cilat kanë lindur ushtarët që janë bërë hero pse kanë dhënë jetën për vendin. Por askush nuk e kujton faktin se kush i ka lindur këta heronj.

Andaj, në një vend ku gratë i lindin ushtarët, e burrat e bëjnë ushtrinë, nevojitet “pilula e së ardhmes” të cilës i referohen grupi “Haveit”.

Dhe për këtë arsye ato kanë të drejtë kur vënë në pikëpyetje kërkesat ndaj burrit dhe gruas kur është fjala për lindjen.

Përderisa lindja e grave është lavdia e burrave, duhet parandaluar ushtarët e së ardhmes.