Negociatat për Qeverinë sjellin Pacollin në atdhe me leje të Lumir Abdixhikut

Negociatat për Qeverinë sjellin Pacollin në atdhe me leje të Lumir Abdixhikut

Formimi i Qeverisë së re ka bërë që kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli të marrë rrugën për në atdhe.

Krejt kjo pasi edhe AKR pritet të ketë hisen e vet në “Qeverinë Hoti”.

Lejen për të fluturuar drejt Aeroportit të Prishtinës ia ka dhënë Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kjo konfirmohet nëpërmjet një letërkëmbimi që kanë pasur zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës me ata të aeroportit, e të cilin e ka siguruar “Koha”.

Në emër të ministrit, lejen e ka dhënë shefi i stafit, Alban Zogaj. Por, burime brenda MIA-s i kanë thënë KOHËS se edhe lejet private tjera, fluturimet e paorganizuara janë lejuar deri tani.

“MSH-ja më pas ka vendosur se çfarë të bëhet me ta: vetizolim në shtëpi, apo karantinë”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, sipas një burimi tjetër, ka pasur mungesë koordinimi ndërmjet ministrive për këtë çështje. UD i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vetëm është njoftuar sot në ora 1 pas mesnate për vendimin, ndërkaq Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk është konsultuar fare.

Nuk dihet nëse do të respektohen protokollet sikurse në rastet e kaluara.

Siç shkruan në letër, Stacioni Policor Kufitar në ANP “Adem Jashari”, ka pyetur nëse do të ketë ekip mjekësor në arritje, nëse do të ketë përcjellje policore dhe nëse do t’i lejohet hyrja ekuipazhit.

Por një burim i ka thënë “Kohës” se, Pacolli ka kërkuar shmangien e disa prej procedurave, përkatësisht karantinimin.