Nënkryetari i AAK-së i reagon Driton Selmanajt për taksën

Nënkryetari i AAK-së i reagon Driton Selmanajt për taksën

Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i ka reaguar deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, pas deklaratave të tij për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga Serbia.

Selmanaj ka thënë sonte në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë porosi të qartë ndaj Kosovës për taksën, dhe ka vlerësuar se kjo masë nuk guxon t’i rrezikojë raportet Kosovë-SHBA.

Pas këtyre deklaratave të Selmanajt, Gjini ka dalë me një porosi për deputetin dhe për partinë e tij, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

“E ftoj Driton Selmanajn dhe LDK ta thërrasin Kuvendin në një seancë të jashtzakonshme për heqjen e taksës ndaj Serbisë”, ka shkruar Gjini në natën e së martës.

“Nëse po ia shohim sherrin taksës, sipas tyre, le ta thërrasin seancen, dhe ta shpëtojnë Kosovën”, ka thënë ai.

“Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do ta vërtetojnë (për të njëqindten herë) se janë krejt oportunistë”, është shprehur Gjini.

“E shajnë Haradinajn se e vendosi taksën dhe me tërë qenien shpresojnë që ajo të hiqet, dhe atë aspak për hir të Kosovës, por vetëm që të mund të shajnë prap”, ka shkruar Gjini.

“Në të njejtën kohë, as gishtin e vogël nuk e lëvizin për ta bërë realitet atë për çka flasin”, thuhet më tej në shkrimin e tij.

“Bëhuni të zotët dhe thirreni një seancë të jashtzakonshme. Keni mundësi. Fjalët janë krejt shterpe kur keni mundësinë të veproni”, ka porositur Gjini, LDK-në.