Nënkryetari i Mitrovicës nga Vetëvendosje në ndejën ku gjuhet me pistoletë (VIDEO)

Nënkryetari i Mitrovicës nga Vetëvendosje në ndejën ku gjuhet me pistoletë (VIDEO)

Një faqe online në Facebook e quajtur “Jepi Zë” ka publikuar në Facebook një video të një ahengu pjesë e të cilit ishte edhe nënkryetari i Mitrovicës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Faruk Mujka.

Në video askush nuk shihet të ketë maskë të vendosur e as tek ruan distancën e kërkuar për shkak të masave anti-COVID’19, njofton Insajderi.

Për më tepër, në një pjesë të videos dëgjohen edhe të shtëna me armë zjarri, derisa vazhdojnë këngët patriotike me çifteli.

Mujka është prononcuar për KALLXO.com për ta shpjeguar rastin.

Ka thënë se as atij nuk i ka pëlqyer veprimi i banorëve por qëndroi në ndejë pasi e ftuan si shenjë falënderimi.

“Komuna e ka hapur një rrugë të fshatit Tërstenë dhe për shkak të asaj rruge, shumica e fshatarëve atje nuk kanë mundur të kenë qasje në shkollë, pas shumë viteve është hapë rruga dhe fshatarët kanë pas dëshirë të më falënderojnë dhe ta bëjnë një organizim ku na kanë ftuar si mysafirë të tyre”, ka thënë  Mujka.

“Njerëzit janë edhe ashtu në depresion, atje është një fshat i thellë, pa qasje e pa të ardhura. Unë mendoj që sado pak duhet t’i jepet një vullnet me jetu edhe me punu. Organizimi ka qenë jashtë, në oborr shkolle, kemi qenë 20 vetë, 24-25 vetë edhe, unë e di tash e di që ndoshta të gjitha rregullat nuk janë përmbushur, po për besë nganjëherë shumë po ka nevojë me pas njëfarë qasje ndaj qytetarëve”, ka shtuar ai.

Sa i përket gjuajtës me armë, ka thënë “nuk është pamje e mirë, nuk me ka pëlqyer veprimi i tyre i gjuajtjes me armë”./Insajderi.com