“Nëse Osmani del në zgjedhje me listë të saj mund ta dëmtojë VV-në dhe LDK-në”

“Nëse Osmani del në zgjedhje me listë të saj mund ta dëmtojë VV-në dhe LDK-në”

Politologu kosovar, Ramush Tahiri, ka thënë se në rast se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, merr pjesë në zgjedhje me listë të saj, mund ta dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, transmeton Insajderi.

Tahiri thotë se mbetet të shihet nga platforma e Vjosa Osmanit se a do të arrijë të krijojë ndarje nga LDK dhe VV, por si dhe të ketë një arsyetim për elektoratin se pse ndahet nga LDK-ja dhe ofrohet me Vetëvendosjen.

“Sa do ta bëjë Vjosa Osmani ndarjen nga LDK dhe prej Vetëvendosje shihet në platformën e programit e saj që prezanton, varësisht prej asaj merret vota, kushtimisht, a merr vota si krah i LDK-së, ose si LDK e vërtete, sepse duhet ta ketë një arsyetim pse po ndahet prej LDK-së dhe pse po afrohet me Vetëvendosjen, sepse sa ishin në LDK ishin konkurrent me Vetëvendosjen”, thotë ai.

Ndërsa, thotë se në rast se kjo shkon me një listë të vetën, dhe në rast se e kalon pragun, ajo do t’i bëjë dëme vetëm Vetëvendosjes dhe LDK-së në elektorat, sepse vota nga partitë tjera, ajo nuk do të mund të marrë.

“Vjosa Osmani me këtë kontekst mundet me e dëmton Vetëvendosjen, me ja marrë një pjesë të elektoratit, por mundet ta dëmtoj edhe LDK-në, ose të dyja nga pak.. sepse Vjosa nuk mundet t’i marrë votuesit e PDK-së, as Aleancës, domethënë këtyre dyjave ia merr votat, varësisht çfarë koncepti ndërton, njërës i merr vota më shumë ose më pak, nëse e kalon pragun”, ka thënë Tahiri. /Insajderi.com