“Nëse s’ka pajtim me VV-në, ne jeni të gatshëm edhe për diçka tjetër”

“Nëse s’ka pajtim me VV-në, ne jeni të gatshëm edhe për diçka tjetër”

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar sot se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke zhvilluar takime intensive, por që sipas tij, ende nuk kanë arritur të diskutimet për temat e rëndësishme politike siç janë Demarkacioni, transformimi i FSK-së në Ushtri apo edhe dialogu me Serbinë.

“Nuk është biseduar në mënyrë konkrete të themi në fushën e programit qeverisës se cilat çështje ne  duhet t’i kapërcejmë dhe cilat janë çështje penguese. Nuk është biseduar në mënyrë të drejtpërdrejtë se çfarë do të ndodh me liberalizimin e vizave, demarkacionin, dialogun me Serbinë, me transformimin e FSK-së në ushtri që janë po ashtu tema të mëdha të cilat nuk presin. Edhe në qoftë se presim ne nuk na presin të tjerët”, deklaroi lideri i LDK-së.

Mustafa ka shtuar se në qoftë se në lidhje me këto tema nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë ata do të qëndrojnë në opozitë, shkruan Aktivpress.

“Unë pres që këto ditë të hapen këto çështje të diskutohen dhe në qoftë se ne shohim se ka hapësirë që të gjejmë gjuhë të përbashkët për këto tema, e bëjmë, në qoftë se jo, atëherë e mbajmë pozicionin tonë që ne të rrimë në opozitë”, tha ai.