“Nëse s’ka zgjidhje për Presidentin – vendi shkon në zgjedhje”

“Nëse s’ka zgjidhje për Presidentin – vendi shkon në zgjedhje”

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka zgjerim të koalicionit, ashtu sikurse raportohet në media, mirëpo kur bëhet fjalë për çështjen e postit të Presidentit, do të diskutojë edhe me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje, përndryshe pasojnë zgjedhjet, njofton Insajderi.

Kështu u shpreh sot ai në një intervistë televizive, derisa tha se nuk e ka problem nëse nuk e përfundon mandatin e tij për aq sa parashihet të jetë në krye të Qeverisë, por nëse nuk merren vesh për postin e presidentit në shkurt apo edhe më herët, në rast të largimit të presidentit Thaçi.

“Diskutime për zgjerim të koalicionit siç flitet në media nuk ka sepse koalicioni i ka numrat për të qeverisur normalisht. Kur të vijmë te çështja e presidentit do të ulemi edhe me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit. Nëse mund të gjejmë zgjidhje, nëse jo vendi shkon në zgjedhje”.

“Koalicioni është duke funksionuar dhe i ka numrat, ata që i ka. Nëse shtohet nevoja për zgjedhjen e presidentit të vendit para shkurtit të vitit të ardhshëm duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Me të gjitha partië e opozitës, por nuk e di çka nënkupton ajo a merremi vesh për një qeveri me 80-90 numra me e zgjedhë presidentin apo me zgjedhë një president jopolitik ku dakordohet edhe opozita. Por, kjo nuk është temë”.

“Duhet ta shohim se a është interes i vendit dhe jo i partive politike. Por nëse nuk merremi vesh duhet të shkojmë në zgjedhje, sipas Kushtetutës”, ka thënë Hoti në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës. /Insajderi.com