Nesër i ndryshohet emri “Minishengenit”, Rama: S’kam koment për mospjesëmarrjen e Kurtit

Nesër i ndryshohet emri “Minishengenit”, Rama: S’kam koment për mospjesëmarrjen e Kurtit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nuk ka koment për mospjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në iniciativën e “Mini-Shengenit”, transmeton Insajderi.

“Nuk kam koment për këtë”, është shprehur shkurt Rama për Top Channel.

Kryeministri shqiptar dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev janë takuar të mërkurën në Shkup.

Gjatë këtij takimi, Rama tha se nismës “mini-Shëngen” do t’i ndërrohet emri.

“Janë disa vendime, marrëveshje për t’u nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën. Shëngeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit.

Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prapë me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, deklaroi ai.

Kosova është shteti që e kundërshton në plotni Iniciativën. Kurse, edhe Mali i Zi e Bosnje Herzegovina kane shprehur plot dyshime.

Kryeministri Albin Kurti e pati quajtur këtë projekt “Jugosllavi të Re”, nismë jo vizionare,  pengesë për integrim të rajonit në Bashkimin Evropian  e po ashtu edhe organizim që nuk e trajton Kosovën palë të barabartë me gjitha tjerat anëtare./Insajderi.com