Nesër protestë për vrasjen e 11-vjeçarit në Fushë Kosovë

Nesër protestë për vrasjen e 11-vjeçarit në Fushë Kosovë

Më 19 korrik ditë e premte me fillim nga ora 14:00 do të mbahet protesta për vrasjen e 11-vjeçarit në Fushë Kosovë, shkruan Insajderi.

Kjo protestë u thirr sot nga një grup i aktivistëve të Fushë Kosovës, të cilët sot mbajtën një aksion simbolik para stacionit policor të kësaj komune.

“Ju ftojmë të ngrihemi të gjithë në protestë para Policisë dhe të mos lejojmë që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të këtyre institucioneve që më së paku po na mbrojnë. Të premten në orën 14;00 mblidhemi tek lagjja ‘Meshari ‘për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë”, tha Gazmend Qyqalla, aktivist dhe pjesëtar i komunitetit ashkali.

Ata në shenjë simbolike sot kanë hedhur ngjyrë të kuqe para objektit të policisë dhe i kanë lënë dy bluza të përgjakura  në rrethojat e objektit që simbolizojnë përgjegjësinë e këtij institucioni në rastin e vrasjes të miturit K. Veseli dhe kauzës kundër racizmit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur  masën e paraburgimit prej 1 muaji për të dyshuarin për vrasjen e 11 vjeçarit. S.O është arrestuar disa ditë pasi K.Veseli u gjet i vrarë më 7 korrik nën shkallët e një ndërtese në Fushë Kosovë.

Edhe i dyshuari dhe tashmë i ndjeri i përkasin komunitetit ashkali ndërsa familja e të miturit kanë treguar se e kanë lajmëruar rastin në Polici. E Prokurorisë i kishte mjaftuar vetëm një kallëzim penal për S.O dhe të njëjtin e kanë lënë të lirë./ Insajderi.com