Nexhmi Rudari ia dorëzon detyrën Shpejtim Bulliqit

Nexhmi Rudari ia dorëzon detyrën Shpejtim Bulliqit

Ushtruesi i deritashëm i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, ka dorëzuar solemnisht detyrën te kryetari i ri i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, transmeton Insajderi.

Në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës së Kryetarit të kësaj komune, Rudari e uroi Bulliqin duke thënë se beson që do të gjejnë forma të bashkëpunimit.

“Edhe një herë, ishalla, të prinë e mbara, dua të të përgëzoj për fitoren që e ke shënuar në këto zgjedhje, juve dhe të gjithë aktivistëve. Ne kemi kryer disa punë disa duhet vazhdohen nga ju”, tha Rudari.

“Shpresoj se do të gjejmë forma të bashkëpunimit. Solemnisht dua ta dorëzojë dokumentin kryesor të komunës për vitin 2021 që është buxheti i miratuar dhe Vulën e Kryetarit të Komunës. Suksese, shëndet në këtë sfidë të re, sigurisht nuk është e lehtë”. Ne që hymë në politikë jemi të përgatitur për këto sfida. Shpresoj që pretimet që i keni dhënë që do të jeni kryetar i të gjithë qytetarëve që t’i mbani”, shtoi tutje ai.

Pas këtyre fjalëve Rudari e ka ftuar Bulliqin që t’i ndërrojnë pozicionet edhe fizikisht, për t’ia lënë fjalën kreut të ri të komunës.

“Faleminderit për këtë pritje. Sigurisht që ky është një proces normal në demokracinë tonë edhe parlamentare dhe nivelit lokal. Faleminderit shumë për angazhim tuajin për periudhën që keni ushtruar detyrën e kryetarit. Shpresojmë shumë që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje”, është shprehur Bulliqi.

“Të gjithë qytetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Jam i vetëdijshëm që trashëgojmë një buxhet të miratuar. E dimë që pritjet janë të mëdha dhe do të bëjmë punë të mëdha për t’iu përmbushur kërkesat dhe nevojat e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Bulliqi pastaj është shprehur se siç është në traditën e shqiptarit, do ta përcjell Rudarin deri jashtë Zyrës së Kryetarit.

“Në traditë e kemi t’i përcjellim mysafirët”. /Insajderi.com