“Neymar, 222 milionë euro? Më mirë një stadium”

“Neymar, 222 milionë euro? Më mirë një stadium”

Shefi ekzekutiv i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge, nuk tundohet nga ajo që po ndodh në futbollin e sotëm. Tregu i transferimeve ka kaluar çdo kufi, sidomos kur para pak ditësh u zyrtarizua kalimi i Neymar-it te PSG-ja për 222 milionë euro. Bavarezët, siç kanë theksuar disa herë, nuk kanë ndërmend të bëhen pjesë e kësaj çmendurie.

“Mendoj se tifozët po humbasin lidhjen me futbollin. Ne kemi filozofi tjetër. Nuk duam dhe as nuk mundemi ta bëjmë një transferim të tillë”.

“Besojmë se kjo është mënyra më e mirë. Kemi pyetur veten se çfarë do të ishte më e rëndësishme, blerja e Neymar-it apo stadiumi ‘Allianz Arena’. Sigurisht që do të zgjidhnim stadiumin, edhe pse ta dini se Neymar ka kushtuar më shumë në total”, – është shprehur së fundmi Rummenigge.

“Sipas numrit 2 të Bayern-it, “shifra të tilla duhet të jenë alarm për politikën, e cila ka përgjegjësi të madhe”. Ai ka përmendur si detaj të rëndësishëm edhe tavanin e pagave, diçka e kërkuar me ngulm nga klubet e futbollit që para gjashtë vitesh, po Komisioni Evropian nuk u tregua i gatshëm për të ndërhyrë.

“Neymar do të kushtojë 1 miliard euro”

“Para ‘Fairplay’-t financiar, i prezantuar në vitin 2011, unë isha disa herë në Komisionin Evropian me presidentin e UEFA-s, Michel Platini, në Bruksel. Synimi ishte prezantimi i një tavani të pagave (shënim i redaktorit: në sport) në nivel evropian, që gjithmonë është refuzuar. Pse politika nuk e mbështeti këtë ide para vitit 2011? Do të kishim zgjidhur gjithçka”.

“UEFA donte ta drejtonte futbollin në kushte të arsyeshme. Meqë politika e ndaloi këtë gjë, u mendua për ‘Fairplay’-n financiar, që është një ide e mirë, por fatkeqësisht shumë e vështirë për t’u zbatuar”.

E dhimbshme për tifozët, klubet e ndershme dhe… futbollin! Edhe Evropa paskësh plagë, të cilat duan më shumë se një njeri për t’i kuruar. PSG-ja vazhdon të triumfojë./Telesport.