Nga dorëheqja e Listës Serbe tek koncerti i Cecës – taksa 100% hynë në javën e tretë

Nga dorëheqja e Listës Serbe tek koncerti i Cecës – taksa 100% hynë në javën e tretë

Të mërkurën e kësaj jave bëhet plotë tre (3) javë, që nga vënia e taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia e Bosnje Hercegovina.

Qeveria e Kosovës e ndryshoi vendimin e 6 nëntorit te Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.

“Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në qeveri.

Propozimi për ndërrimin e masës nga 10 në 100% erdhi nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala.

Shala në mbledhje të Qeverisë e ka arsyetuar vendimin, duke dhënë shkaqet që duhet të merret ky vendim. Shala ka thënë se pas një analize që është bërë nga departamenti i Tregtisë, ka ardhur një propozim i tillë.

“Për më tepër ka një asimetri të madhe sa i përket ofertave publike, ku kompanitë e Kosovës nuk mund të konkurrojnë ligjërisht në ofertat publike në Serbi. Në anën tjetër ka më shumë se 100 oferta publike që kompanitë serbe kanë fituar në Kosovë. Problemet tjera ka shumë. Kosova nuk mund ta zhvillojë industrinë e saj të transportit dhe humb qindra vende pune, sepse kamionët e Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend transit për në tregun e BE-së”, deklaroi ai.

Përderisa ky vendim gjeti përkrahjen e institucioneve të vendit madje edhe të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, Bashkimi Evropian kërkojë tërheqjen e menjëhershme të kësaj takse.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë vendimin për rritjen e taksës në 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake.

“Më tej përkeqëson situatën pas imponimit fillestar të taksës prej 10% të rritjes së taksës javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet të revokojë menjëherë këto vendime”, thuhet në njoftimin për media të BE-së.

Mogherini ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës është një shkelje e qartë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Në anën tjetër kundërshtim të ashpër për taksën e vendosur prej 100% kishte edhe nga pala serbe, ata madje kërcënuan me dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Më 27 nëntor ditë e martë, në një takim të jashtëzakonshëm të kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, u bënë publike dorëheqjet e katër kryetarëve të këtyre komunave, shkruan Insajderi.

Kryetarët e dorëhequr kanë nënshkruar një deklaratë përmes së cilës thonë se tërhiqen nga postet e tyre dhe ndërpresin të gjitha komunikimet me Prishtinën zyrtare.

Vendimi për dorëheqje dhe largim nga institucionet është marrë për shkak të ngritjes së taksës prej 100 për qind për mallrat serve, përmes së cilës serbëve të Kosovës sipas tyre u është kërcënuar e drejta për jetesë, për shërim dhe mbijetesë gjë që çon në krizë edhe më të thellë.

Në pikën e dytë thuhet se “deklarata nënshkruhet për shkak të dhunës së vazhdueshme, rrahjes së serbëve, arrestimeve të paligjshme dhe tentimit për të vrarë Millan Radojiçiqin, gjë që po ashtu rrezikon të drejtën për jetesë të serbëve në Kosovë”.

Pika tre flet për “shkeljet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, nga Rezoluta 1244, marrëveshjet e Brukselit, të CEFTA-s”, ndërsa pika e katërt potencon se vendimi është marrë “për shkak të shkeljes së akteve të veta nga ana e Prishtinës me të cilat duhet të respektohen të drejtat e serbëve”.

Ndryshe që nga vënia e taksës, serbët e veriut kanë filluar të mblidhen për të marrë në protesta kundër taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia. Ata kanë thënë do të vazhdojnë të mbahen protesta të tilla deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

E për ta bërë edhe më “madhështore”, protestën e tyre në përkrahje u erdhi edhe Svetlana Raxnatovic e njohur si Ceca, këngëtare popullore e muzikës turbo folk në Serbi.

“Kam ardhur në Mitrovicën e Kosovës dhe në këtë mënyrë mund të ndihmoj popullin tonë në luftën e tij të drejtë dhe për të drejtat e tij”, ka thënë këngëtarja.

Karriera e këngëtares nga Zhitoragje filloi në vitin 1988 për të kulmuar te shqiptarët me me këngën “Kukavice” (Qyqar) më 1993.

Ndërkaq popullariteti saj u ngrit sidomos në vitet e ’90-a, atë kohë kur shqiptarët po përndiqeshin dhe maltretoheshin nga autoritetet serbe.

Gjatë ditës së djeshme, u raportua se Qeveria e Kosovës do të vendos masa të reja ndaj Serbisë.

Në mesin e masave janë raportuar edhe ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë, dhe gjithashtu edhe ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë.

Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj ka thënë për Gazetën Insajderi se masat e reja janë pjesë e një strategjie.

Por ai nuk ka specifikuar se për çka saktësisht bëhet fjalë.

“Nuk mund t’i specifikojë këto masa, por mund të them se janë pjesë e një strategjie. Ne nuk do të tolerojmë ma tutje që Kosova të trajtohet nga shteti i Serbisë në formën si është trajtuar vitet e kaluara”, ka deklaruar Avni Arifi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se nuk do të ketë heqje të taksës pa e njohur Serbia- Republikën e Kosovës./Insajderi.com