“Nga Kosova, me dashuri”, fotografia me të cilën gazeta franceze njofton fitoren e Bidenit

“Nga Kosova, me dashuri”, fotografia me të cilën gazeta franceze njofton fitoren e Bidenit

Gazeta e mirënjohur franceze ‘Le Figaro’, uroi fitoren e kandidatit Demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fotografi interesante, transmeton Insajderi.

Kjo gazetë prestigjioze ka përdorur një ilustrim grafik të një fotografie dekorative në mur në një kafiteri, e cila mban mbishkrimin “Urime Z. President, nga Kosova me dashuri”.

“Joe Biden gjithashtu ka fituar shtetin vendimtar, Nevada, sipas disa mediave amerikane, të cilat i lejojnë atij të rrisë hendekun e tij kundër Donald Trump”, ishte mbishkrimi i ‘Le Figaro’ në fotografinë e publikuar në Twitter para më shumë se 14 orësh pak kohë pasi përfunoi numërimi në këtë shtet.

Ndryshe, kandidati Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një gare të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandat të dytë si i pari i Amerikës.

Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si President i Amerikës.

Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën. /Insajderi.com