Nga kush do të paguhet avokati i Lushtakut, Geoffrey Nice – flet Abelard Tahiri

Nga kush do të paguhet avokati i Lushtakut, Geoffrey Nice – flet Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka folur rreth asaj se kush do t’a paguajë avokatin e ish- komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, Geoffrey Nice për ta mbrojtur atë në Gjykatën Speciale.

Tahiri në konferencën për media ka thënë se Sami Lushtaku nuk ka bërë kërkesë që avokati, Goeffrey Nice, i cili ka kërkuar për një ditë 2 mijë e 200 euro, të paguhet nga shteti, shkruan Insajderi.

Sipas tij çdo person i thirrur nga Gjykata Speciale ka të drejtë të marrë cilindo avokat, por shteti nuk do i mbulon shpenzimet e tyre derisa nuk janë të akuzuar.

“Nuk kam pasur kërkesa nga këta persona deri sa janë të akuzuar, ligji në fuqi nuk mbulon shpenzimet”, ka thënë Tahiri, përcjell Insajderi.

Nëse Geoffrey Nice, avokati i ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtakut, do të paguhej me para të buxhetit të shtetit të Kosovës ndonëse ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj klientit të tij, atëherë do të shkelej Ligji për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial nga Gjykata Speciale.

Sipas këtij Ligji, shteti shqyrton ndihmesat financiare për të akuzuarit potencial nga Gjykata Speciale vetëm në rastet kur ngritët aktakuzë ndaj të dyshuarve.

Neni 3, pika 1 e Ligjit për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial nga Gjykata Speciale thotë se vetëm të akuzuarit nga Zyra e Prokurorit Special “kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve”.

“Neni 3 Mbrojtja juridike. 1. Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji”, thuhet në Nenin3, pika 1 të këtij Ligji.

Avokati Geoffrey Nice ka kërkuar fiks 2 mijë e 200 euro në ditë, për mbrojtjen e Sami Lushtakut, nëse ndaj tij do të ngritët aktakuzë nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.

Lushtaku është nisur në ditën e djeshme fillimisht për në Gjermani, e më pastaj për në Hagë. Para udhëtimit, ai ka pranuar se ende nuk ka asnjë aktakuzë që rëndon ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo e ka pranuar se as vet nuk e di se në çfarë cilësie është duke udhëtuar për në Hagë.

“Nuk e di ende se në çfarë cilësie jam i ftuar në Hagë”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së, në Zonën e Drenicës.

Sami Lushtaku, pritet që të merret në pyetje nga Prokurorët e Zyrës së Specializuar, më 16 Janar, të këtij viti.

Së bashku me Lushtakun ka udhëtuar edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, tashmë ka e konfirmuar se kanë dërguar ftesa edhe ndaj ish-krerëve më të lartë të UÇK-së./Insajderi.com