Nga premtimi për investime nga Perëndimi tek marrëveshja me Emiratet Arabe

Nga premtimi për investime nga Perëndimi tek marrëveshja me Emiratet Arabe

Kadri Veseli ishte duke bërë fushatë për ta marrë drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës, kur në maj të vitit të kaluar, kishte dalë në një emision televiziv, për të folur për orientimin e Kosovës në aspektin ekonomik.

Me 5 maj të vitit të kaluar në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, Veseli kishte ngjallur reagime me deklarimin e tij se Kosova duhet të fokusohet në lidhje më të afërta me vendet sikur Izraeli, Amerika, Gjermania dhe Zvicra dhe të largohej nga lidhja e ngushtë më Turqinë dhe  apo edhe vende te tjera që nuk përfaqësojnë vlera evropiane dhe të demokracisë.

Preferoj fuqishëm që në Kosovë të kemi investitor  në ekonomi nga Amerika, Gjermania e Zvicra.  Shpirtin punëtor gjerman kosovarët e njohin mirë”, kishte thënë Veseli.

Ai madje kishte deklaruar se Kosova duhet të krijojë lidhje të forta me Izraelin.

“Asgjë nuk duhet të bëjmë më shumë sesa që atë që ka bërë shteti i Izraelit.  Kemi ngjashmëri me Izraelin”, kishte thënë Veseli.

Por një vit më pas, kur ai ka marrë drejtimin e PDK-së dhe tashmë është në një fushatë tjetër, përgatitjes për të kandiduar për kryeministër, Veseli ka nënshkruar një memorandum me një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Izraelit.

Emiratet e Bashkuara Arabe, si shumica e shteteve të tjera arabe, nuk e ka njohur Izraelin që nga konflikti arabo-izraelit filloi në vitin 1948.

Pavarësinë e Kosovës, Emiratet e Bashkuara e kanë njohur me 14 tetor të vitit 2008, ndërsa Izraeli nuk e ka njohur ende, shkaku i konfliktit me Palestinën.

Veseli udhëtoi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u prit nga homologia e tij Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi, me të cilën kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Kosova edhe pse është vend i vogël, mund të konsiderohet si model i identitetit, multikulturalizmit dhe i bashkëjetesës. Ne jemi të hapur dhe dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Kosovës duke nxitur investitorët tanë të investojnë në Kosovë”, ka thënë zonja Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi.

E Veseli i cili madje kishte takuar vitin e kaluar edhe një grup afaristësh nga Izraeli, tha se pret që efektet e memorandumit me Emiratet e Bashkuara Arabe të jap sa më shumë rezultate.

“Shpresoj shumë se në përfundimin e kësaj vizite do të kemi edhe rezultate konkrete që ndërdhen me investime shumë milionëshe në Republikën tonë”, ka thënë Veseli.