Nga qeveria në poste diplomatike – vazhdojnë emërimet politike të ambasadorëve

Nga qeveria në poste diplomatike – vazhdojnë emërimet politike të ambasadorëve

Disa ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës janë emëruar në poste diplomatike gjatë muajve të fundit, derisa gjatë ditëve të ardhshme edhe disa ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktual të qeverisë priten të emërohen ambasadorë të Kosovës.

Ditë më parë, në Komisionin për Punë të Jashtme, është proceduar për dekretim te presidenti emri i Avni Arifit, këshilltarit të kryeministrit, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por, në një prononcim për Insajderin, Arifi nuk pranoi të konfirmonte nëse do emërohet në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Emirate. Tha se bëhet fjalë për një proces konfidencial, por nuk e mohoi mundësinë e emërimit në post diplomatik.

“Nuk flitet për këtë proces pa ardhur pëlqimi i vendit. E di që në Kosovë gjithkush flet por në këtë profesion për hir të imazhit të shtetit flitet vetëm pas marrjes se agremanit”, ka thënë Arifi për Insajderin.

Por, Arifi e ka konfirmuar lajmin në një prononcim për Kallxo.com një ditë pas prononcimit për Insajderin. Aktualisht shefi i Kabinetit të Kryeministrit Haradinaj ka thënë se ai do të jetë ambasador i ri i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Jam në procedurë. Jam emëuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komisioni parlamentar kurse tani jam në pritje të dekretimit nga presidenti i Kosovës”, ka thënë Arifi, i cili është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkohë, në pozitën e ambasadorit pritet të emërohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, i cili u shkarkua para dy javësh. Insajderi ka mësuar se ish-ministri që përfaqësonte Aleancën Kosovën e Re në Qeverinë e Kosovës, pritet të emërohet ambasador në Shqipëri.

Por edhe disa ish-zyrtarë të Qeverisë Haradinaj janë emëruar ambasadorë më parë. Gjergj Dedaj është dekretuar ambasador në Maqedoni, ndërkaq Arbër Vllahiu, anëtar i AAK-së dhe ish-zëdhënës i Zyrës së Kryeministri Haradinaj, aktualisht është shef i misionit diplomatik në Çeki.

Ndërkaq, Kosova ka mbetur pa ambasadorë në dy mbretëri në Evropë. Në Mbretërinë e Suedisë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ende nuk janë emëruar ambasadorë nga Kosova.

Insajderi ka pyetur anëtaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Time Kadriajn, lidhur me emërimet e ambasadorëve dhe për dy pozitat vakante në Mbretërinë e Suedisë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ajo nuk ka dhënë detaje, pasi ka deklaruar që emërimet e ambasadorëve janë procese konfidenciale.

Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, kërkohet që së paku 50% e ambasadorëve të emëruar të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik. /Insajderi.com