Shqiptarët historikisht janë shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre, kryesisht për arsye pushtimi" />

Nga shpërngulja e dhunshme tek ikja e obligueshme – kosovarët pa atdhe

Historia njeh shpërngulje të mëdha të shqiptarëve. Filluar nga periudha e viteve 1877-1878 ku u dëbuan masivisht nga Sanxhaku i Nishit, e deri tek periudha e eksodit masiv të shqiptarëve nga Kosova, ku u dëbuan rreth 1 milion qytetarë nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1999. Largimin e shqiptarëve nga vendlindja edhe më shqetësues e bën emigrimi masiv i tyre nëpër botë. Ku vetëm në periudhën e vitit 2012 – 2016 nga Kosova kanë migruar 122 mijë e 657 persona.

Nga shpërngulja e dhunshme tek ikja e obligueshme – kosovarët pa atdhe

Shqiptarët historikisht janë shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre, kryesisht për arsye pushtimi dhe sundimi i të  huajve ndaj shqiptarëve. E tash së fundmi shqiptarët nuk po i përzënë popujt e huaj, por ata po migrojnë në vendet BE-së për të kërkuar një jetë më të mirë.

Kujtojmë se largimi me dhunë i rreth 1 milionë shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999 nuk ishte fundi i ikjeve të qytetarëve nga vendi i tyre i lindjes.

Vetëm disa vite më vonë, edhe pas Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, filluan valët e migrimeve të kosovarëve, ku vetëm gjatë periudhës 2012-2016, vlerësohet se nga Kosova kanë migruar 122 mijë e 657 persona.

141 vjet nga dëbimi masiv i shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit

Ishte fundi të vitit 1877 dhe fillimi i vitit 1878 ku kishte ndodhur një prej krimeve më të ashpra, ku u dëbuan rreth 300 mijë shqiptar nga trojet shqiptare.

Si rezultat i këtij spastrimi etnik, u zbrazën 746 fshatra dhe qytete si Nishi, Prokupla, Leskoci, e Vraja. Ata që ikën u strehuan nëpër vendet përreth, ndërsa ata që mbetën u asimiluan.  Shumica prej atyre vendeve ishin mbi 70 për qind të banuara me shqiptarë.

Shfarosja e shqiptarëve bëhej në mënyrat dhe metodat më mizore dhe më barbare, për çka dëshmojnë edhe vetë serbët, por kjo dëshmi i kishte edhe manipulimet e veta. Për mënyrën e shpërnguljes së shqiptarëve, një mësues i atëhershëm i Leskovcit, Josif H. Kostiqi, shkruan:

“Ka pasur shumë turq (lexo shqiptarë) të cilët zhveshur e zbathur, nëpër të ftohtit më të madh të dhjetorit, nëpër borë i lanë në Leskovcë shtëpitë e tyre me plot gjëra. Atë natë shumë fëmijë në qerre apo në djep, në krahët e nënave, kanë vdekur nga të ftohtit e madh derisa familjet turke (lexo shqiptare) kanë ikur përgjatë luginës së lumit Morava, nëpër të ftohtit më të madh. Pranë rrugës gjatë Grykës së Gërdelicës, deri te Vranja dhe Kumanova, nga janë tërhequr familjet turke (lexo shqiptare) shihen fëmijët e hedhur, të vdekur dhe pleqtë e ngrirë. Tërheqja ishte tragjike, buajt dhe qetë i tërhiqnin ngadalë qerret nëpër borë, e saja kishte pak… dhe kështu kryhej spastrimi etnik në marrëveshje me Turqinë”.

Serbët janë mjeshtër të manipulimeve, e ne kurrsesi të jemi së paku në nivelin mbrojtës. Kur e lexon këtë raport të kohës të shkruar nga vetë ata, s’ka se si të krijojë bindje që shqiptarët ishin të harruar edhe nga vetë Zoti “nga ushtarët tanë të cilët i ndiqnin turqit (lexo shqiptarët) pas thyerjes së tyre në Gërdelicë, në Pirot dhe Vranje, kam dëgjuar se kanë hasur në grupe të të ikurve të turqve (?) në gjendjen më të mjerë. Atë që kishin marrë nga pasuria me vete për ta shpëtuar, e kishin hedhur rrugës për të ikur më lehtë. Shumë shtazë nga lodhja dhe uria janë gjetur gjatë rrugës të ngordhura, ose nga akulli dhe rrëshqitja, të copëtuara. Fëmijë të hedhur, të humbur ose gjysmë të vdekur nga lodhja dhe uria. Disa ishin të ënjtur dhe të fryrë. Disa i lëshonte shpirti atëherë kur tanët i ushqenin.

19 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

Eksodi i vitit 1999, ku një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan dhunshëm nga vendi për shkak të luftëgjenocidale dhe politikës fashiste të Millosheviqit, pa dyshim se është ngjarja më dramatike në historinë e re të Kosovës dhe ndër ngjarjet më të bujshme botërore të fundit të shekullit njëzet.

Eksodi masiv i kosovarëve qe krahasuar me eksodin e njohur biblik si për nga përmasat, ashtu edhe për nga vuajtjet e shkaktuara. Por në anën tjetër, edhe kthimi i shpejtë dhe masiv i tyre pati habitur mbarë opinionin botëror dhe qe konsideruarsi shembull unik i kthimit vullnetar të refugjatëve në atdhe.

Masakrat mbi civilët dhe pastrimi etnik i shkaktuar nga policia dhe ushtria serbe bënë që Aleanca Veriatlantike (NATO) të ndërhyjë ushtarakisht kundër caqeve serbe me fushatën ajrore të bombardimeve 78 ditë.

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Tkurrja e shqiptarëve gjatë historisë 3 mijë vjeçare

Për shpërnguljen e shqiptarëve në kontekst historik ka folur historiani, Frashër Demaj, i cili ka thënë se shqiptarët gjatë historisë së tyre 3 mijë vjeçare duke filluar që periudha Antike e deri me sot kanë pasur tkurrje të territoreve të tyre etnogjeografike dhe shpërngulje të mëdha.

“Shqiptaret gjate historisë se tyre rreth 3000 vjeçare duke filluar qe nga Periudha Antike e deri me sot  kane pasur tkurrje te territoreve te tyre etnogjeografike dhe shpërngulje te mëdha”, ka thënë Demaj për Insajderin.

Ishte shekulli i pestë dhe gjashtë kur Sllavet asimiluan dhe shpërngulën shqiptarët dhe u vendosën në tokat e tyre në territoret e Sllovenisë së sotme, Kroacisë malit të Zi, Bonje Hercegovinës, Maqedonisë dhe Serbisë.

“Sllavet asimiluan dhe shpërngulen iliret (shqiptaret) dhe u vendosen ne tokat e tyre ne territoret e Sllovenisë se sotme, Kroacisë, Malit te Zi, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë dhe Serbisë”, ka thënë për Insajderin historiani Demaj.

Demaj ka konfirmuar se dëbimi masiv në historinë e re të shqiptarëve ka ndodhur në vitin 1877-1878.

Në këtë periudhe janë dëbuar shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit, vendin e të cilëve e kishin zënë serbët.

Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit që u shpërngulen kryesisht ne thellësi te Vilajetit te Kosovës u quajtën muhaxhirë.

“Shpërngulje te shqiptareve nga trojet e tyre ka pasur edhe pas vdekjes se Gjergj Kastriotit-Skënderbeut për shkak te represionit osman. Kurse dëbimi me masiv ne historinë e re te shqiptareve ka ndodhur ne vitin 1877-1878 i shqiptareve nga Sanxhaku i Nishit  vendin e te cilëve e zunë serbet. Shqiptaret e Sanxhakut te Nishit që u shpërngulen kryesisht ne thellësi te Vilajetit te Kosovës u quajtën muhaxhirë”, ka thënë Demaj.

Shpërngulje tjetër masive e shqiptarëve është ajo e periudhës së luftërave ballkanike, e pas vitit 1912, kur shqiptaret janë shpërngulur nga krahina e Çamërisë, ku në pronat dhe shtëpitë e tyre ishin vendosur greket.

Numër i madh i shqiptarëve janë shpërngulur edhe pas Konferencës së  Ambasadoreve ne Londër me 1913. Në vend të tyre u vendosen kolonë sllav kryesisht serb e malazez.

“Shpërngulja masive e shqiptareve ka ndodhur edhe nga krahina shqiptare e Çamërisë pas vitit 1912 (periudhës se luftërave ballkanike) ku ne pronat dhe shtëpitë e tyre pastaj janë vendosur greket. Shume shqiptare u shpërngulen edhe nga Kosova dhe vise tjera shqiptare pas përfundimit te Konferencës se Ambasadoreve ne Londër me 1913. Në vend të tyre u vendosen kolonë sllav kryesisht serb e malazez. Shpërngulje të shqiptarëve për në Turqi ka pasur në vazhdimësi që nga viti 1912-13, sidomos me marrëveshjet jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve të cilat zgjaten deri në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar”, ka përfunduar historiani Frashër Demaj.

Emigrimi në demokraci i shqiptarëve nga Kosova – 122 mijë qytetarë kanë ikur për 4 vjet

Dëbimi masiv i shqiptarëve të Kosovës prej rreth një milionë qytetarë nuk ishte hera fundit kur qytetarët lëshuan Kosovën.

Vetëm disa vite më vonë qytetarët filluan të ikin nga Kosova, por kësaj radhe jo duke u larguar dhunshëm nga të huajt, por dukë u lënë Kosovën për të kërkuar një jetë më të mirë në vendet e BE-së.

Shkalla e emigrimit të qytetarëve të Kosovës që përfshin emigracionin e rregullt dhe emigracionin ilegal, vazhdon të jetë e lartë, ndonëse jo në shifra alarmante.

Në bazë të të dhënave nga enti i statistikave të Kosovës, për periudhën 2012-2016 bëhet e ditur se Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të emigrimit me një mesatare vjetore prej 34,145 persona.

Vetëm gjatë vitit 2016 nga Kosova kanë emigruar 8940 persona. Në total për periudhën 2012-2016, vlerësohet se nga Kosova kanë migruar 122.657 persona.

Në këtë numër përfshihen emigrimet legale por edhe ato ilegale që për destinacion kanë vendet e BE-së, posaçërisht Gjermaninë.

Ikja masive e shqiptarëve të Shqipërisë në vitin 2014

Rreth 53 mijë e 805 Shqiptar kanë kërkuar azil në gjermani në 2015. Por vetëm 5 prej tyre kanë marrë përgjigje pozitive.

Ndërsa në vitin 2016 në periudhën janar tetor kanë kërkuar azil 34000, por asnjë prej tyre nuk ka marrë përgjigje pozitive. Numri është më i madh pasi azilkërkuesit kanë filluar që në vitin 2013 dhe në këtë vit papasur një fluks të madh kërkimesh.

Në Shqipëri kanë ndodhur disa eksode. Shumë njerëz kishin emigruar në vitet e para të demokracisë, dhe shumë të tjerë kishin emigruar në vitin e errët 1997, për shkak të problemeve me firmat piramidale. Por kjo situatë u përsërit në vitin 2014 e në vazhdim.

Si asnjë herë më parë Shqipëria edhe pse ishte në një situatë të qetë dhe pa luftë, shqiptarët zgjodhën të largoheshin. Të rinj të punësuar, të pa punë të moshuar të gjithë kërkonin që të iknin nga Shqipëria. Arsyeja ishte e thjeshtë mungesa e shpresës në vend dhe varfëria madhe e që ekzistonte. Shifrat për ikjet masive ishin alarmante, dhe shumë e quajtën edhe eksod këtë që emigrim drejt Gjermanisë dhe Francës.

Vendi ku të gjithë kërkonin të shkonin ishte Gjermania. Qeveria e këtij vendi bënte thirrje për të gjithë shqiptarët që të mos udhëtonin drejt vendit të tyre pasi nuk do të pranohej asnjë azilkërkues. Shqipëria ishte vendi i cili konkurronte me Sirinë e cila ishte në një luftë civile, ku jeta e të gjithëve ishte në rrezik.

Në Shqipëri  nuk rrezikohej asnjë jetë nga luftërat por përsëri  shumë njerëz kërkonin që të iknin sa më parë. Varfëria, dhe papunësia ishin shkaqet kryesore. /Insajderi.com