Nga shtesat për fëmijë tek 80 mijë vendet e punës – Top premtimet e ditës

Hapja e fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, ka parë liderët e subjekteve politike të premtojnë krijimin e vendeve të reja të punës, rihapjen e fabrikave të mbyllura dhe udhëheqjen me lidership të shtetit.

Nga shtesat për fëmijë tek 80 mijë vendet e punës – Top premtimet e ditës

Kur koalicioni PDK-AAK-NISMA hapi zyrtarisht fushatën në Prishtinë, bartësit e listës së subjektit, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, thanë se Kosova duhet të udhëhiqet nga njerëz me guxim.

“Me një lidership që mund ta jetësojë këtë ndryshim. Me një lidership të aftë për t’u përballur me armiqtë dhe që do të qëndrojë përkrah aleatëve tanë”, deklaroi sot kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ndërkaq, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të mbështes prodhimet bujqësore.

“Zotohem se kemi me ndihmuar bujkun dhe prodhuesin e Kosovës, që vendi të ketë prodhimin dhe konsumin e vet e të mos varet nga importi dhe të tjerët, për prodhimet tona. Duhet t’i shfrytëzojmë resurset tona për nevojat e Kosovës, duhet që ta ndihmojmë njeriun tonë, punëtorin, bujkun e prodhuesin, që të jenë zot të vendit ”, tha Haradinaj.

I nominuari për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, në Gjilan foli për 40 prioritetet e partisë së tij.

Kurti premtoi se Gjilani do ketë një zonë industriale të pozicionuar mirë në magjistralen që do ta transformojë atë në qendër me rëndësi ekonomike rajonale në magjistralen Gjilan-Ferizaj, kurse për fermerët premtoi se do të ndahen mjete financiare për nxitjen e produktivitetit.

Ai e përmbylli fjalën e tij dhe këtë tubimi madhështor duke folur për 40 prioritetet tona, me theks të veçantë për reformimin e administratës, shtesa për fëmijë, 160 çerdhe të reja, 40000 banesa sociale, arsim falas, rritje e pensionit të moshës, dhe trefishimin e inspektorëve të punës.

Premtime të mëdha ka dhënë edhe koalicioni LDK-AKR.

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Fushë Kosovë, se me fitoren e koalicionit të djathtë do të përfundojë koha kur institucionet shtetërore kanë punuar për interesa të tre ose katër personave.

“Ju garantoj se ky koalicion do të merret me temat më të vështira për vendin dhe do t’i kryejë me sukses ato. Me fitoren e koalicionit të shpresës do të marrë fund edhe koha kur institucionet e shtetit kanë punuar për interesa të tre-katër personave dhe tani e tutje ato do të jenë në shërbim të qytetarit”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli premtoi krijimin e 80 mijë vendeve të punës.

“Ne do të krijojmë 80 mije vende të reja pune qysh në vitin e parë të qeverisjes, këtë ne e kemi kalkuluar mirë”, ka shtuar Pacolli, duke thënë se përmes rritjes ekonomike që do të jete 8 deri ne 10%, çdo student i diplomuar do ta ketë punën e sigurt. /Insajderi.com