Nga sot Kosova ka një medie që raporton për sektorin e ndërtimtarisë, “Ndërtimi.info”

Nga sot Kosova ka një medie që raporton për sektorin e ndërtimtarisë, “Ndërtimi.info”

Sot përgjatë një ceremonie të organizuar është lansuar media më e re në vend, “Ndertimi.info”.

Kjo media është e profilizuar në fushën e ndërtimit, infrastrukturës dhe në përcjellje të projekteve të prokurimit publik, duke mos përjashtuar as reportazhet dhe storjet për mjeshtër të veçantë që mbajnë gjallë traditat e punës me dru dhe gurë.

Pronari i këtij portal, Valon Vata u shpreh para mysafirëve se qëllimi i kësaj medie është që të ngrisë vetëdijen qytetarë përreth ndërtimtarisë.

“Ka ikur koha e ndërtimit emergjent, tani duhet të ketë ndërtim cilësor dhe me standarde”, ka thënë Vata, duke shtuar se bota tashmë ka mendjen te shpiket e reja teknologjike, teksa në Kosovë ende diskutohet për leje ndërtimore.

Ndërsa, kryeredaktori i “Ndërtimi.info”, Uran Haxha tregoi se tashmë janë përgatitur që të raportojnë drejt dhe saktë për ngjarjet që janë në domenin e tyre. Ai tregoi edhe për rrugën që do të ndjek ky portal.

“Në vorbullën e mbi 250 portalesh në tregun e vogël të Kosovës, ne ia kemi vërë syrin që sektorin e ndërtimit ta kemi për vete. Se a do të jenë 500 apo 5 lajme, se a do të jenë 1 milionë apo 1 mijë klikime, kjo pak ka rëndësi. Ne kemi vendosur që cilësia t’ia zë vendin sasisë”, tha Haxha. Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës foli Shkëlqim Hysenaj duke thënë se beson që raportimi nga “Ndertimi.info” do të jetë korrekt, teksa këtë formë të medies e sheh si të ardhme.

“Po shihet se portalet e profilizuara janë e ardhmja e medies”, ka thënë Hysenaj.

Në fund, përpos lansimit solemn të portalit, u shfaqën edhe dy storie të cilat ishin realizuar nga “Ndërtimi.info”.