Nga “tërpia e Drenicës” tek “respekti si shqiptar” – Evoluimi i raporteve mes Lajçit dhe Thaçit

Nga “tërpia e Drenicës” tek “respekti si shqiptar” – Evoluimi i raporteve mes Lajçit dhe Thaçit

Aktori i njohur i Kosovës, Çun Lajçi ka takuar sot Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, me ç’rast i ka thënë atij që e respekton si njeri dhe si shqiptar.

Lajçi, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka treguar se presidentit i ka thënë të mos i besojë kryeministrit Isa Mustafa për Demarkacionin me Malin e Zi.

“I thashë, unë për atdheun ha m… por si njeri e shqiptar të rrespektoj – edhe si President, por Çakorri asht i yni dhe nuk falet. Mos i beso Isës as lakmiçarve i thashë, se toka nuk shitet”, ka thënë Lajçi.

Thaçi është shprehur pro demarkacionit me Malin e Zi që prej marrëveshjes së bërë me Malin e Zi.

Mirëpo, rreth një vit më parë, teksa kundërshtonte ashpër marrëveshjen e qeverisë për demarkacion me Malin e Zi, Lajçi e pati quajtur Thaçin – “Terpia e Drenicës”.

Aktori shqiptar me origjinë nga Rugova, kishte reaguar përmes Facebook-ut edhe para një viti, kur e quante Thaçin “Terpia e Drenicës”.

“Njëherë krerët e Rugovës në krye me Salih Ramën shkuan në Galicë me u marrë vesh me Azem Bejtën që luftërat t’i bëjnë bashkë. Por kur hyn në kullën e tij, Ali Rexha u tall dhe i tha ‘Si je zhuga i Drenicês’( sepse ishte përhap me të madhe kjo sëmundje ngjitëse në ato anë) Ai gadi e vrau. Ky i tha: O burrë, s’kam faj unë po morrat, vrajë ata e jo mua! Dhe u pajtuan. Po të ishin gjallë sot Ata dy, do ti thojshin Thaçit ‘Si je TERPIA i Drenicës’”, pati shkruar Lajçi.

Lajçi ka marrë pjesë në disa nga protestat që opozita kosovare kishte organizuar për të kundërshtuar Demarkacionin me Malin e Zi. /Insajderi.com