Nga VV paralajmërojnë ndryshim të Ligjit për Festat Zyrtare

Nga VV paralajmërojnë ndryshim të Ligjit për Festat Zyrtare

Nga partia e cila është në pozitë, Lëvizja Vetëvendosje, kanë paralajmëruar se do të ndryshoj Ligjin për Festat Zyrtare, njofton Insajderi.

Deputeti i kësaj partie, Valon Ramadani, tha se do të merren me këtë mënyrë, siç e quajti ai të gabuar të pushimit, “por duke mos rënë pre e pazareve të Listës Serbe”.

Sipas tij, është e pakuptimtë të mos punohet ditëve të javës, kur festa i bie të jetë në fundjavë.

“Më në fund përfundoi ky ‘vikend’ i tejzgjatur. Nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër ku pushohet dyfish. Është e pakuptimtë që mos të punohet në ditët e javës kur festa është në vikend. Njëjtë është edhe pushimi për 9 majin, i njohur si “Dita e Evropës”, ku punohet gjithandej nëpër Evropë, kurse në vendin tonë është pushim.

Në Komisionin ku jam anëtar, këtë çështje e kemi trajtuar qysh në vitin 2018. Rregullimi i tillë është në kuadër të Ligjit për Festat Zyrtare, që është ndër 28 ligjet me interes vital, ndryshimi i të cilit kërkon përveç shumicës së deputetëve, edhe shumicën e votave të minoriteteve. Lista Serbe këtë fuqi e shfrytëzon që të përfitojë në aspekte të tjera, dhe kushtet e saj janë të papranueshme. Do të merremi me këtë mënyrë të gabuar të pushimit, por duke mos rënë prehë e pazareve të LS”, shkroi Ramadani në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, në 15 ditët e para të muajit Maj punëtorët e sektorit publik kanë pesë ditë shtesë pushim (përveç ditëve të pushimit javor”, për shkak të festave./Insajderi.com