Nga Zagrebi në New York – Skandalet e zyrtarëve shtetëror nëpër botë

Papërvoja e shtetit të Kosovës në diplomaci është manifestuar me skandale të ndryshme viteve të fundit, por që kulmoi këto ditë me dyshimet se një zyrtar i konsullatës është përfshirë në krime të rënda.

Nga Zagrebi në New York – Skandalet e zyrtarëve shtetëror nëpër botë

Në fund të korrikut të vitit 2013, disa qytetarë kroatë ishin ankuar në polici se në një udhëkryq kanë vërejtur një Mercedes me targa diplomatike, që po lëvizte “zig-zag” duke rrezikuar personat e përfshirë në trafik.

Drejtuesi i automjetit ka qenë Urtak Hamiti, atë kohë ministër-këshilltar i Ambasadës së Kosovës në Kroaci.

Mediat që kanë raportuar rreth këtij rasti njoftonin se Hamiti, që është djali i ish-deputetit të LDK-së, Sabri Hamitit, kishte refuzuar urdhrat e policisë për të fikur motorin dhe për të dalë nga vetura ndërsa dyshohej se ka qenë në gjendje të dehur. Shteti kroat pretendonte se ai ka goditur një veturë gjatë kohës sa ka qenë duke drejtuar mjetin e tij.

Veprimi i tij kishte nxitur autoritetet kroate që kërkonin nga Kosova të merren masa ndaj tij.

Por, sjellje të pahijshme nga ana e zyrtarëve të misioneve jashtë vendit ka pasur edhe në raste të tjera.

Insajderi ka raportuar në shkurt të këtij viti se një zyrtar i konsullatës së Kosovës në Cyrih, Mehmet Bislimi, priste kosovarët që kanë nevojë për shërbime konsullore me këmbë mbi tavolinë. Insajderi kishte publikuar edhe një fotografi të këtij personi duke bërë një gjë të tillë.

Por, ai më vonë ka thënë se këmbët për të pushuar mbi tavolinë i kishte vendosur gjatë pushimit të punës.

Por, kulmi i skandaleve mund të jetë arritur nga Albert Veliu, shofer në Konsullatën në New York, i cili po akuzohet nga shteti amerikan për pastrim të parave dhe trafikim me narkotikë.

Albert Veliu, 34 vjeçar, së bashku me shtetasin amerikan, Anthony Noterile, janë dërguar në Gjykatën Federale në Bruklin të Nju Jorkut.

Po ashtu, Veliu është akuzuar edhe për shitjen e një arme AK-47, një raketë anti-tank M80 dhe Zolja e pajisur me një raketë 64 milimetërshe.

Veliu së bashku me një tjetër shtetas amerikan i akuzuar për veprën e njëjtë, Christopher Curanovic, bashkëpunëtor i “La Cosa Nostra”, kanë krijuar një skemë të paligjshme të pastrimit të parave, përmes shitjes së drogës.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar në ndërkohë se ia ka ndërprerë punën Veliut.

“Konsullata konfirmon se personi në fjalë ka qenë i angazhuar si vozitës, në cilësi të stafit lokal, nga themelimi i konsullatës, pasi ka vetëm nënshtetësi amerikane dhe nuk gëzon kurrfarë privilegjesh dhe imunitetesh diplomatike”, thuhet në njotimin e MPJ-së.

“Pas pranimit dhe verifikimit të informacionit zyrtar me autoritetet vendëse për përfshirjen e dyshuar të tij në aktivitete të paligjshme dhe arrestimit të tij mbi bazën e këtyre dyshimeve, Konsullata e Përgjithshme në New York ka vendosur t’ia ndërpresë marrëdhënien e punës me efekt të menjëhershëm”, thuhet ndër tjerash në komunikatë./Insajderi.com