Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 5 vite burg për trajnerin e futbollit shqiptar, Sokol Metaj, një ish-futbollist i Partizanit të Tiranës.
Ish-trajneri i skuadrave të reja të Dinamos së Tiranës, që më pas kishte drejtuar ekipe si Laçi, Skrapari, Turbina, Naftëtari, Besëlidhja dhe së fundmi Mamurrasi, akuzohet për ngacmim seksual ndaj një lojtari, raporton Telesport.
Sipas organit të akuzës, Metaj, rreth një vit më parë, ka abuzuar seksualisht me një 17-vjeçar. Policia e Shtetit ka bërë të ditur asokohe, 15 nëntorin e vitit të kaluar, se ka ndaluar shtetasin Sokol Metaj, me profesion trajner futbolli, 49 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer veprime të pahijshme seksuale ndaj një 17-vjeçari.
Sokol Metaj, i lindur në Kuçovë, është banues në rrugën “Idriz Dollaku” në Tiranë. Fillimisht karrierën si futbollist Sokol Metaj e ka nisur të Naftëtari i Kuçovës, ekip me të cilin ka luajtur deri në vitin 1988. Në sezonin 1992-1993, Metaj ka veshur fanellën e Partizanit, ku edhe u shpall kampion. Më pas ka luajtur në NK Mura në Slloveni dhe në ekipe si Sibenik dhe Zadar në Kroaci.
Trajneri Sokol Metaj është paraqitur në Spitalin Ushtarak me dëmtime në fytyrë. Autoritetet e spitalit mësohet se kanë njoftuar blutë e kryeqytetit, të cilët kanë shkuar për të bërë verifikimet e këtij rasti.
49-vjeçari është munduar të fshehë ngjarjen e vërtetë, duke sajuar para efektivëve të Komisariatit nr. 2 një skenë grabitje.
“Më qëlluan me tytën e pistoletës dy persona që donin të më grabisnin”, është shprehur Metaj para policëve. Por, në një çast trajneri kishte përmendur emrin e njërit prej djemve.
Menjëherë policia ka thirrur djemtë 17-vjeçarë, protagonistë të ngjarjes për sqarimin e plotë të ngjarjes. Pasi është thirrur në komisariat, 17-vjeçari R.V. ka thënë se është abuzuar seksualisht nga 49-vjeçari dhe për këtë arsye e kishte qëlluar 2 herë me grusht në fytyrë.