Ngadhnjim Kastrati e nis me skandale mandatin, RTK në luftë me Auditorin e Përgjithshëm

Ngadhnjim Kastrati e nis me skandale mandatin, RTK në luftë me Auditorin e Përgjithshëm

Kur nuk janë bërë ende dy muaj që nga marrja zyrtare e mandatit në krye të Radio Televizionit Publik të Kosovës, Ngadhnim Kastrati drejtori gjeneral i RTK-së është përfshirë në skandal. Institucioni që ai drejton është futur në “luftë” me Zyrën Kombëtare të Auditimit.

E gjithë “lufta” ka filluar për raportin financiar të RTK-së kur sipas drejtorit të Auditimit, Besnik Osmani, RTK kishte hedhur mëdyshje ndaj institucionit që drejtohet nga Osmani, shkruan Insajderi.

Osmani gjatë mbledhjes së djeshme kishte thënë se drejtori aktual i Radiotelevizionit të Kosovës, Ngadhënjim Kastati e ka hedhur në mëdyshje autoritetin kushtetues dhe ligjor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për t’i audituar financat e këtij institucioni.

Sipas tij puna e auditimit për RTK-në është pezulluar dhe aktualisht janë duke pritur një vendim nga Kuvendi i Kosovës.

“Që nga fillimi ne kemi marr nga drejtori i mëparshëm i këtij institucioni shqetësimin e tij se auditori i përgjithshëm nuk do ketë që të bëjë auditimin e RTK-së për faktin se kemi një ligj të veçantë për RTK-në dhe në atë ligj është e vërtet ka një nen që thotë se auditimet për RTK-në do të bëhen nga një kompani private, por natyrisht që flet vetëm për pasqyrat financiare realisht për lloj e auditimit financiar. Unë i kam sqaruar drejtorit dhe kemi filluar auditimin kemi mbërritur tek draft raportet dhe kur e kemi dërguar për komente që me ligjin për Auditim kemi afat 15 ditor për komente kam marr shkresë të re nga drejtori aktual i Radiotelevizionit i cili edhe njëherë ka vënë në mëdyshje autoriteti kushtetues dhe ligjor të institucionit tonë për të bërë auditimin”, tha Osmani.

Për “luftën” e RTK-së me zyrën e Auditorit, ka reaguar kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha. Ai ka thënë se RTK po merret me ZAP-në pikërisht në kohën kur Kuvendi po e pret raportin e Auditimit.

Sipas tij RTK ka publikuar një emision për kinse :keqpërdorimet e Auditimit, ku sipas tij ka për qëllim të bëhet presion Auditimit.

“RTK, sonte e paske një emision pas lajmeve qendrore me temën ‘Keqpërdorimet e Auditorit te Përgjithshëm’. RTK po merret me ZAP-in bash ne kohen kur Kuvendi po e pret raportin e ZAP-it për RTK-në”

“E kam thëne disa here publikisht, ua rikujtoj edhe njëherë: Personi nga Zyra e Auditorit te Përgjithshëm, i cili gjatë vitit 2015 e ka udhëhequr auditimin financiar dhe të performances në RTK, vetëm disa muaj pasi e ka përfunduar ketë auditim, është punësuar si auditor me kontrate të rregullt punë në RTK”.

“Të hënën, unë do të kërkoj takim me shefin e zyrës së Auditorit Gjeneral për tu informuar nga afër me procesin e Auditimit ne RTK”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

E ashpër ndaj Hoxhës ka qenë bashkëshortja e ish-drejtorit gjeneral të RTK-së, Ramize Murtezi – Shala. Ka thënë se RTK dhe emisioni i saj “Udhëve” nuk i bërë presion Zyrës së Auditorit Gjeneral. Po ashtu ajo ka akuzuar Hoxhën se qëndrimet e tij lidhen me partitë politike.

““Mbrojtësit” të moralit kombëtar, Fadil B.Hoxha i paska penguar hulumtimi i emisionit hulumtues “Udhëve” për keqpërdorimet në Zyren e Auditorit Gjeneral. Kjo çka kish shkru ky, është presion direkt në lirinë e medias dhe përpjekje për cenzurë Fadil! Auditori I ka punët e veta për të cilat nuk e pengon askush me i kry, e na gazetarët I kemi punët tona që s’ka shans me na pengu kurrkush me i kry dhe kushdo që tenton të pengojë lirinë e medias dhe gazetarit do të përballet me ne! E ti kolegë si kryetar i përhershëm i një grupi sindikal e ki për detyrë me i mbrojtë kolegët e RTK, nëse jo mu së paku stafin. Po le të mbetet në ndërgjegjen tande ky presion në fakt politik që po e bën. E din ti cila parti politike fshehet pas statusit tend. Ftoj AGK publikisht te reagojë pas këtij presioni publik të bërë nga Fadil B.Hoxha !”, ka shkruar ajo në Facebook./Insajderi.com