Ngjashëm si kundër Serbisë, ne duhet të mobilizohemi edhe kundër KEDS-it

Kompania turke KEDS është duke këmbëngulur që qytetarët e varfër të Kosovës të mbulojnë humbjet e saj dhe të jenë garantues të jetës luksoze të miliarderëve Ozdemir dhe Çalik.  Por, shumica e kosovarëve janë të zënë me betejën e tyre për mbijetesë. Duhet të protestojmë kundër kësaj dëshire kriminale të KEDS-it.  Nuk kemi para për luksin e shfrenuar të miliarderëve turq.

Ngjashëm si kundër Serbisë, ne duhet të mobilizohemi edhe kundër KEDS-it

Primatin e biznesit më famëkeq në Kosovë duket se KEDS-i do të mbajë për kohë të gjatë. Ka investuar me vite të tëra me veprime skandaloze për ta krijuar këtë imazh negativ.

Për nam të keq, kompania KEDS e lë mbrapa edhe gangsterin e njohur kosovar, Enver Sekiraqa. Rezultati doli i tillë edhe pas një ankete që e pata realizuar në llogarinë time në Facebook, të cilën e pata bërë në mars të këtij viti. U pata befasuar me rezultatin.

Pyetja e anketës ishte kjo: Cili biznes e ka imazhin më të keq në Kosovë?

Opsionet ishin dy: KEDS, apo Caffe Bar Sekiraqa.

Vetëm 12 për qind e miqve të mi në Facebook votuan për opsionin e dytë: Sekiraqen.

Ndërkaq, 88 për qind votuan për KEDS-in.

Edhe nëpërmjet komenteve treguan pakënaqësitë e mëdha ndaj KEDS-it. Bazuar në komentet, Enver Sekiraqa nuk shihej si më famëkeq se KEDS-i. Ky është një lajm i për Enverin.

Unë nuk kisha një pritje tillë. Besoja se përmendja e biznesit të Enver Sekiraqës do të tingëllonte si diçka më famëkeqe se KEDS-i.

Por, dola i gabuar.

Kompania KEDS, e cila është në pronësi të korporatave turke Çalik dhe Limak, ka investuar shumë për ta dëmtuar imazhin e saj. Është zhytur në skandale, vit pas viti.

Duke nisur që nga tetori i vitit 2012. Atë kohë ishte nënshkruar kontrata e privatizimit të distribucionit të energjisë mes Qeverisë së Kosovës dhe dy korporatave turke, Çalik e Limak Holding. Atëkohë, kryeshef i të parës ishte dhëndri i udhëheqësit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoganit. Dhëndri i tij, Berat Albayrak, aktualisht është ministër i Turqisë.

Distribucioni ishte shitur për pak para te njerëzit e Erdoganit. Më vonë, do të zbulohej se tinëz i ishin falur edhe katër hidrocentrale. Ato ishin në pronësi të KEK-ut. Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ende është nën hetime për këtë veprim të dyshuar kriminal. Këto fakte dëshmojnë se para gjashtë vitesh, më 2012, njerëzit e Erdoganit përfituan falas KEDS-in nga njerëzit e Hashim Thaçit, atëkohë kryeministër.

Ky transaksion politik do të mirëkuptohej ndoshta nga qytetarët e Kosovës, nëse KEDS-i do të vepronte si kompani serioze dhe do furnizonte pa reduktime, 24 orë, Kosovën me energji elektrike. Furnizimin 24 orësh me rrymë e ka të obliguar me kontratë.

Por, kurrë nuk e realizoi këtë. Vendosi që të humb energji me gjëra tjera.

Ndërtoi skema të dyshimta kriminale për rrjepjen e qytetarëve të Kosovës.

Na detyroi që të paguajmë faturat e banorëve serb të pjesës veriore të Kosovës. E bëri këtë tinëz.  Me vite kemi diskutuar me njëri-tjetrin, duke shprehur habi për faturat e fryra që KEDS-na sjellte para derës së shtëpisë. Në fund u zbulua se kishim qenë duke paguar për dy shtëpi. Ose më shumë. Por, ajo që dihet saktë është fakti që nuk paguanim vetëm për tonën.

Ky veprim i kësaj kompanie turke lirisht mund të klasifikohet si vjedhja e shekullit. Megjithatë, asnjë zyrtar i lartë i KEDS-it nuk është në burg. Ka ndryshuar vetëm diçka në jetën e tyre: Kosova i ka bërë shumëfish më të pasur.

Posedimi i shumë parave ka bërë që zyrtarët shtetëror të Kosovës të gjunjëzohen para KEDS-it.

Korporatat turke në pronësi të dy miliarderëve turq, Ahmet Çalik dhe Nihat Ozdemir, i kanë futur institucionet kosovare në kthetrat e tyre.

Shembulli që e dëshmon është ky: Zyra e Rregullatorit për Energji është institucioni që duhet ta mbikëqyrë KEDS-in. Komplet udhëheqësit e këtij institucioni kanë punuar më herët për KEDS-in.

Petrit Pepaj, tani anëtar bordi në ZRRE, dikur kishte qenë menaxher i lartë në KEDS. Izet Rushiti, po ashtu ishte menaxher i lartë në KEDS.

Edhe anëtari tjetër i ZRRE-së, Selman Hoti, dikur kishte punuar si menaxher në kompaninë turke.

Por, si kanë ardhur këta njerëz deri këtu?

Bordi i ZRRE-së emërohet nga Kuvendi i Kosovës, pas propozimeve të bëra nga Qeveria. Janë votat e deputetëve që i kanë dërguar në ZRRE njerëzit e KEDS-it.

Kjo tregon se shtrirja e dyshuar kriminale e KEDS-it është shumë e madhe. Përfshinë qeveritar e deputetë të Kosovës. Shumica e qeveritare e deputetëve nuk i kanë kërkuar asnjëherë llogari KEDS-it. Ata e kanë një arsye se pse nuk e bëjnë këtë: Është paraja.

Derisa kemi pushtetarë të tillë, kjo kompani do të vazhdojë me mashtrimet ndaj qytetarëve të Kosovës.  Shpeshherë është përballur me protesta të qytetarëve të indinjuar me mashtrimet në faturim dhe rritjet e dyshuara kriminale të çmimeve të rrymës. Deri tash i ka shpërfillur të gjitha protestat.

Ka vazhduar me punën e vetme që di të bëjë. Me mashtrimin e konsumatorëve për të realizuar objektiven e qartë të kompanisë: Rritja e profitit për Nihat Ozdemir dhe Ahmet Çalik, dy miliarderët turq që janë pjesë e listës së “Forbes”, e cila përfshin njerëzit më të pasur në botë.

Insajderi ka raportuar tërë kohën për skemat mashtruese të kësaj kompanie.

Kompania KEDS vetëm gjatë vitit 2018 ka mashtruar njëzetë katër konsumatorë, nëpërmjet faturimit të rrejshëm. Këtë konkludim e ka dhënë Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila ka vendosur që ta detyrojë KEDS-in që t’ua kthejë paratë konsumatorëve.

Ky konkludim është dhënë nga zyrtarët e ulët të ZRRE-së. Jo nga shefat e ZRRE-së. Atyre duhet bërë presion publik që të mos e shfuqizojnë këtë vendim. Ndëshkimi financiar nga shteti i Kosovës është mënyra që ndikon në ndërprerjen e mashtrimeve nga ana e KEDS-it.

Mosndëshkimi është duke rritur apetitet e saj për të mashtruar sërish.

Edhe sot ka tentuar ta bëjë të njëjtë gjë. Veprimin që ka bërë sot kompania KEDS nuk do të kishte guxuar ta bënte në asnjë shtet tjetër të Evropës.

Ka shkelur kontratën me Qeverinë e Kosovës për furnizimin 24 orësh me rrymë.

Kosova është paralizuar që nga dje, kur KEK-u ka dërguar në riparim një bllok të prodhimit të rrymës. Në raste të tilla, KEDS-i obligohet me kontratë që të gjejë rrugë alternative të blerjes së rrymës. KEDS e ka importuar rrymë dje edhe sot. Por, ka terrorizuar qytetarët e Kosovës me njoftimin e sotshëm.

Nëpërmjet një kumtese shtypi ka njoftuar se është duke e blerë shumëfish më shtrenjtë se sa zakonisht energjinë e importuar. Por, kompania ka njoftuar se kjo do të ndikon në shumëfishimin e çmimit të faturave të qytetarëve. Kjo është mendësi kriminale. KEDS-i është kompani dhe duhet të bartë vetë rreziqet e të bërit biznes. Kompanitë private ka raste që fitojnë shumë, por ka raste që situatat emergjente mund të ndikojnë në rënien e profitit.

Qindra bizneseve kosovare i janë shkaktuar sot e dje për shkak të mungesës së rrymës. Atyre nuk ia kompenson askush këto humbje. Është thjeshtë risku i të bërit biznes në Kosovë. Mirëpo, KEDS po kërkon që qytetarët ta kompensojnë nëpërmjet fryrjes së faturave.

Kjo kompani po kërkon që në asnjë situatë të mos rrezikohet jeta luksoze e pronarëve të saj,  Ozdemir dhe Çalik.

Ky njoftim i kompanisë turke ka ardhur pas deklarimit të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili tha se Qeverisë dhe qytetarëve nuk i intereson se nëpërmjet çfarë rrugëve e siguron KEDS-i energjinë elektrike.

Mirëpo, KEDS ka shpërfillur kërkesën e Haradinajt. Është duke këmbëngulur që qytetarët e varfër të Kosovës të mbulojnë humbjet dhe të jenë garantues të jetës luksoze të miliarderëve Ozdemir dhe Çalik.

Por, shumica e kosovarëve janë të zënë me betejën e tyre për mbijetesë dhe duhet të protestojmë kundër kësaj dëshire kriminale të KEDS-it.

Nuk kemi para për luksin e shfrenuar të miliarderëve turq.