Ngritet aktakuzë për rastin e Oliver Ivanoviqit

Ngritet aktakuzë për rastin e Oliver Ivanoviqit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka  ngritur sot aktakuzë kundër gjashtë personave N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ata ngarkohen me veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Sipas Prokurorisë të pandehurit N.S., M.R. dhe R.B., të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M.R., Z.V dhe Zh.B., të cilët gjenden në arrati, ndaj të cilëve gjykata kompetente ka lëshuar urdhërarrest dhe letërrreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale, “duke vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht, por është duke vepruar që nga viti 2011 e këndej, të cilin grup e udhëheqin të pandehurit Z.V. dhe M.R, të cilët gjenden në arrati, ku të gjithë këta të pandehur veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, me dashje dhe dijeni të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale”.

“Të pandehurit aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit dhe realizimin e përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare apo dobisë tjetër pasurore, me qëllim të shtrirjes së kontrollit të bizneseve në territorin dhe kontrollin e politikës në pjesën veriore të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.