Kontributet e Nikolo Makiavelit në traditën e realizmit politik janë jetëgjatë. Ata përfshijnë paralajmërimin e tij që bota duhet marrë ashtu si është, dhe jo ashtu si" />

Nikolo Makiaveli: Tronditës, edhe pesë shekuj më vonë

Nikolo Makiaveli: Tronditës, edhe pesë shekuj më vonë

Kontributet e Nikolo Makiavelit në traditën e realizmit politik janë jetëgjatë. Ata përfshijnë paralajmërimin e tij që bota duhet marrë ashtu si është, dhe jo ashtu si duhet të jetë; pranimin se pushteti dhe interesi vetiak luajnë një rol parësor në çështjet politike; ideja e tij se ai i qeverisjes është një art, që kërkon prej udhëheqësve politikë, që t’u përshtaten strukturave tradicionale, por edhe kohërave që ndryshojnë; dhe këmbëngulja e tij se diktatet e raison d’état mund të bien ndesh me ato të moralitetit tradicional. Eshtë ky pohimi i fundit – se sfera publike dhe ajo private kanë moralet e tyre të dallueshëm nga njëri-tjetri – që mbetet kaq tronditës, edhe sot e kësaj dite.

Nga të gjithë shkrimtarët në lëmin e “realizmit” – nga Tucididi e Hobsi, e deri tek Morgenthoja dhe Meërshajmeri – është Nikolo Makiaveli, ai që ka aftësinë më të madhe për të tronditur. Në vitin 1513, i dëbuar nga Firencja e tij e dashur, Makiaveli nisi të punojë kryeveprën e tij, Princin. Pesë shekuj më vonë, libri i tij mbi artin e qeverisjes, mbetet leximi më i kërkuar, ndonëse edhe shumë trazues, për praktikuesit dhe studentët e politikës. Origjinaliteti i Makiavelit – dhe burimi për reputacionin e tij jetëgjatë – konsistonte në refuzimin e hapur që ai i bënte moralitetit tradicional, si udhërrëfyes për veprimin politik, si dhe këmbëngulja se arti i qeverisjes duhet të bazohet, mbi një këndvështrim realist të natyrës së korruptuar njerëzore.
Ndonëse është kritikuar shpesh, si një cinik amoral – autor i një “libri udhërrëfyes për gangsterë”, sipas fjalëve të Bertrand Rasëllit – Makiaveli zë vend, në fakt, në një terren etik më të ndërlikuar. Pretendimi i tij kryesor është se politika ka një logjikë morale të vetën, dhe ndonjëherë kërkon veprime për të ruajtur shtetin, të cilat brenda një shoqërie të edukuar, mund të jenë të dënueshme. Me fjalë të tjera, ndonjëherë etika tradicionale duhet lënë mënjanë, për shkak të diktateve të pragmatizmit dhe nevojës së (asaj që më vonë do të njihej) si raison d’etat, ose “arsyet shtetërore”.

Ajo që e bënte Princin kaq modern, shkruan R. J. B. Uoker, është se “ai hodhi në erë traditën universale të kohës së Makiavelit, qoftë kur kjo shihet si një dallim mes moralitetit dhe politikës, apo qoftë kur shihet si dallim mes dy formave të moralitetit”. Ishte një tezë e fortë laike, për t’u parashtruar në shekullin 16. Sigurisht, Kisha Katolike ishte dobësuar, me rritjen e shteteve të fuqishëm që luftonin për pushtet, si dhe pakënaqësisë në rritje kundrejt korrupsionit papnor. Pas katër vjetësh, Martin Luteri do të parashtronte 95 tezat e tij, në derën e Kishës së Kështjellës së Vitenburgut, duke ndezur kështu shkëndijën e Reformimit, që më tej do të sillte fragmentimin e Krishtërimit Perëndimor. E megjithatë, është mbresëlënëse që tek “princi” nuk përmendet askund ligji natyror, apo vendi i njeriut në Zinxhirin e Madh të Ngjarjeve të Zotit, një pikë e zakonshme referimi kjo, në mendimin e Rilindjes. Pavarësisht reputacionit të tij si një teoricien me influencë i politikës, vepra e shkruar e Makiavelit është e pakët. Ajo përbëhet kryesisht nga “Princi” dhe nga “Ligjëratat”. Ndryshe nga realistët e mëvonshëm, si Hobsi apo Rusoja, Makiaveli nuk pretendon të paraqesë një teori sistematike të politikës. Në vend të kësaj, ai kërkon që, përmes studimeve historike dhe vëzhgimit praktik, të identifikojë të vërtetat e pakoha të sjelljes shoqërore njerëzore, dhe t’i ndërfusë këto në një seri maksimash, aforizmash dhe parimesh, që mund ta ndihmojnë Princin të mbijetojë, në një botë të mbushur me tradhëti. Ai gërrmon në historinë e pasur të Greqisë dhe Romës së lashtë, si dhe në trazirat e qytet-shteteve italiane, për të gjetur shembuj të udhëheqjeve të suksesshme dhe të dështuara.

Motivimi i Makiavelit në shkrimin e këtij libri, është jo vetëm udhëzimi i lexuesve, por edhe rehabilitimi i tij politik. Në përpjekje për t’i pëlqyer sundimtarit të ri të Firences, ai ia dedikon “Princin” të “Mrekullueshmit Lorenco de Medici”, i cili me ndihmën e trupave spanjolle, kishte përmbysur mbrojtësin e mëhershëm të Makiavelit, Pier Soderinin. E megjithatë, “Princi” nuk mund të shihet thjeshtë si një vepër oportunizmi politik. Makiaveli ishte në thelb një patriot fiorentinas, i cili shkruante: “Unë e dua vendin tim, më shumë se sa shpirtin tim”, dhe në librin e tij vazhdimisht vihet re ankthi që shkakton rënia e Firences. Qëllimi i tij ishte të gjente të dyja, shkakun dhe ilaçin për fatkeqësitë e qytet-shtetit të tij. Duke identifikuar realitetet themelorë dhe rregullat kryesorë të politikës, Makiaveli besonte se mund të ndihmonte për krijimin e një shteti – preferonte një republikë – që të kishte stabilitet të brendshëm, si dhe të ishte në gjendje të vetëmbrohej nga agresioni i jashtëm. Qëllimi i tij ishte që të ringrinte Firencen, nga një shtet i korruptuar dhe i dobët, dhe ta transformonte në një atdhe të fortë, të bashkuar, të rigjeneruar moralisht, dhe fitimtar, sipas shembullit të Athinës së Perikliut apo republikës Romake. Rikthimi i shtetit të Firences tek lavdia do të kërkonte një princ, i cili zotëronte dhe kultivonte tek qytetarët e tij ato aftësi parakristiane, që vlerësoheshin shumë prej burrave të mëdhenj të botës së lashtë, duke përfshirë forcën, aftësinë, kurajën, besnikërinë, nderin, sensin qytetar dhe gjallërinë publike. Në të njëjtën kohë, çrrënjosja e problemeve të Firences, do të kërkonte masa që zakonisht konsideroheshin mizore, tradhëtare dhe të poshtëra.

Në zemrën e errët të Princit është një pikëpamje e pakursyer dhe aspak sentimentale e natyrës njerëzore. Shumica e njerëzve, shkruan Makiaveli, “janë mosmirënjohës, të paqëndrueshëm, fsheharakë, të frikur nga rreziku dhe lakmitarë për përfitime”. Në një botë të tillë, sundimtari që sillet sipas moralitetit kristian, shumë shpejt do të gremiset. “Mënyra se si njerëzit jetojnë, është kaq larg prej mënyrës se si duhej që të jetonin, saqë kushdo që përpiqet t’i largohet asaj që është, për të shkuar tek ajo që duhet të jetë, po shkon drejt rrëzimit, në vend të qëndresës”. Prandaj, shpjegon më tej Makiaveli, “është e domosdoshme që një princ i interesuar për të mbijetuar, duhet të bëjë jo vetëm mirë”.

Ajo që Makiaveli kërkon të thotë, është se bota publike dhe ajo private janë universe moralë të ndryshëm mes tyre, me kode sjelljeje të papajtueshme. Kur zgjedh jetën e burrit të shtetit, në vend të jetës së qytetarit të zakonshëm, udhëheqësi angazhohet që të veprojë sipas një grupi të ndryshëm vlerash dhe parimesh parakristiane, pasi i përkushtohet krijimit dhe sigurisë së një “shteti të madh e të lavdishëm”.

Në vend që të jetë një shenjt në një botë mëkatarësh, princi duhet të kultivojë pushtetin dhe të shtypë pa mëshirë armiqtë e tij, pa patur frikë se do të gjykohet si i lig dhe i paskrupullt.

Duke marrë shembuj, që nga perandori romak Karakala, deri tek fiorentinasi Cezare Borxhia, Makiaveli ofron këshilla për këdo që aspiron të bëhet princ.

Së pari, bëj çdo gjë që është e nevojshme për të ruajtur pushtetin dhe siguruar shtetin. Bëj kujdes, që të mos lejosh dikë tjetër të bëhet i pushtetshëm, apo të bashkosh forcat me një shtet më të fuqishëm, pasi kështu do të sjellësh vetëm rrënimin tënd.

Së dyti, duhet të jesh sa më i zoti në luftë, “i vetmi art që pritet prej një sundimtari”. Mbaje shtetin në një gjendje të përhershme gatishmërie për luftë, dhe mbaj një numër të mjaftueshëm ushtarësh dhe armësh, për të siguruar mbretërinë tënde, nga agresioni i huaj dhe rivalët e brendshëm. Trajtoje “paqen” si asgjë më shumë se sa një hapësirë frymëmarrjeje, për t’u përgatitur për një tjetër konflikt. Injoroje teorinë e luftës së drejtë. Një luftë është “e drejtë” atëherë kur është e nevojshme – as më shumë, as më pak.

Së treti, përdor mashtrimin si një element qendror të artit të qeverisjes. Fshihi qëllimet e vërtetë, dhe qëndroju besnik premtimeve, vetëm sa kohë këta janë në interesin tënd. Mos harro që të tjerët do të të gënjejnë, nëse nuk merr masa që ata të paguajnë për gënjeshtrat. Kujdes, mos u rretho nga vartës të fuqishëm. Ndiq këshillat e mendjes dhe rrethohu nga sa më pak këshilltarë.

Eleminoji gjeneralët fitimtarë, dhe fisnikët mbaji gjithmonë të dobët dhe të përçarë.
Në fund, përdor edhe mizorinë, edhe mirësinë, ashtu si e kërkon situata, duke pranuar që është më mirë të të kenë frikën se sa të të duan, nëse nuk i ke dot të dyja. Kur shkakton një goditje, bëje në mënyrë të beftë dhe të rëndë, për të shmangur kundër-reagimin. Atje ku është e mundur, lër të tjerët të bëjnë “punën e pistë”, pasi më vonë mund të sigurosh mbështetjen e njerëzve, “duke ua prerë kokën” këtyre. Kur dëshiron të shpërblesh vartësit, bëje gradualisht, që t’u shijojnë më shumë. Mos lejo kurrë që të bëhesh objekt pakënaqësie. Forca më e madhe e një udhëheqësi, është që të mos urrehet prej popullit të tij.

Duket si “koncentrat ligësie”. E megjithatë, Makiaveli nuk është aspak sadist. Mjetet e paskrupullt janë të justifikuar, vetëm nëse i shërbejnë një qëllimi specifik. Ose, sipas fjalëve të Kenet Uoltzit, “të ruash pushtetin tënd brenda shtetit, dhe shtetin tënd mes shteteve të tjerë”. Ai nuk mbron dhunën e pamend apo mizorinë për hir të kënaqësisë – jo sepse është i dobët, por sepse ato janë kundërproduktive. Kështu që, Makiaveli këshillon maturinë, si një element thelbësor të udhëheqjes.

Ajo që është më skandaloze për Princin – sot më shumë se sa në kohën kur është shkruar – është përqafimi i dukshëm që i bën Makiaveli parimit, që “qëllimi i justifikon të gjithë mjetet”, sado mizore dhe të ashpra mund të jenë këto mjete. Siç e shpjegon vetë autori “në veprimet e të gjithë njerëzve, dhe sidomos në ato të princërve, është rezultati që e jep verdiktin, atëherë kur nuk ka gjykatë apeli”.

Veçanërisht trazuese për lexuesit e sotëm, është mungesa e pendesës tek Makiaveli, për mbrojtjen që i bën artit të pamëshirshëm të qeverisjes. Ai nuk përpiqet të “ëmbëlsojë” asgjë, as përpiqet të ngushëllojë lexuesin. Mungon tërësisht toni tragjik i realistëve të mëvonshëm, si Hobsi dhe Rusoja – apo në kohë më të afërta, Morgentho, Uoltzi dhe Mershaimeri. Për këta shkrimtarë, politika e pushtetit dhe lufta e përsëritur janë fakte, ekzistenciale, ligështuese dhe të vajtueshme, nënprodukte të pashmangshëm strukturorë të një sistemi anarshist, i cili detyron çdo shtet, që të ndjekë interesat vetiake.
Megjithatë, ky problemi i anarshisë ndërshtetërore nuk është shqetësimi parësor i Makiavelit. Syri i tij është i fokusuar tek natyra njerëzore. Dhe ajo që sheh, nuk është aspak e bukur.

Sigurisht, Makiaveli ishte i vetëdijshëm për atë që më vonë, realistët do ta quanin dilema e sigurisë. Si këshilltar politik dhe ushtarak i Soderinit, ai ishte përpjekur të manipulonte ekuilibrin në ndryshim të fuqive, mes qytet-shteteve xhelozë dhe syçelët të Italisë. Ai kish parë Firencen e tij të dashur, pas një litanie gabimesh, të kapitullonte përballë armiqve të saj. Këto eksperienca i mësuan se “është e pamundur për një shtet, që të shijojë përgjithmonë duke liritë e tij, dhe kufijtë që i rrijnë ngushtë; sepse ndonëse mund të mos ngacmojë shtetet e tjerë, ai do të ngacmohet prej tyre, dhe pasi të ngacmohet, do të lindë tek ai dëshira, dhe nevoja, për pushtime”.

Por Makiaveli ndryshon nga realistët e mëvonshëm si Hobsi, kur pranon se ndërtimi i njeriut ka po aq rëndësi sa edhe fakti i anarshisë ndërkombëtare, në përcaktimin, si të sjelljes në politikën e jashtme, ashtu edhe pasojave në politikën botërore. Përmes shembujve historikë të sukseseve dhë dështimeve, Makiaveli na kujton se individët janë të rëndësishëm. Po, bota është në ndryshim të vazhdueshëm, ajo e godet shtetin nga të gjithë drejtimet. Por “edhe nëse ka një Hyj që i jep formë fundit tonë” – siç shkruan Shekspiri tek Hamleti – zgjedhjet e një udhëheqësi mund të kenë një impakt të madh në politikë, të brendshme dhe të jashtme.

Makiaveli eksploron ndërveprimin mes forcave materiale dhe ndërtimit të njeriut, përmes koncepteve të fatit dhe virtytit. Të gjithë princërit (dhe në fakt të gjithë njerëzit) i nënshtrohen faktorëve shoqërorë dhe natyrorë që janë më të mëdhenj se ata vetë. Gjithësesi, “vullneti i lirë nuk mund të mohohet”, këmbëngul Makiaveli. “Edhe nëse fati është arbitri i gjysmës së veprimeve tona, ai sërish na lejon ne që të kontrollojmë gjysmën tjetër”. Ndonëse fati mund të jetë kapriçoz, udhëheqësi i aftë mund t’i japë formë fatit të tij, dhe fatit të shtetit që udhëheq, përmes ushtrimit të virtytit. Ky nuk duhet marrë në kuptimin e mësimeve morale të krishtera (domethënë integriteti, përulësia e kështu me ardhë). Bëhet fjalë për cilësitë njerëzore që vlerësoheshin në lashtësi, duke përfshirë dijen, kurajën, mprehtësinë, krenarinë dhe forcën.
Kontributet e Nikolo Makiavelit në traditën e realizmit politik janë jetëgjatë. Ata përfshijnë paralajmërimin e tij që bota duhet marrë ashtu si është, dhe jo ashtu si duhet të jetë; pranimin se pushteti dhe interesi vetiak luajnë një rol parësor në çështjet politike; ideja e tij se ai i qeverisjes është një art, që kërkon prej udhëheqësve politikë, që t’u përshtaten strukturave tradicionale, por edhe kohërave që ndryshojnë; dhe këmbëngulja e tij se diktatet e raison d’état mund të bien ndesh me ato të moralitetit tradicional. Eshtë ky pohimi i fundit – se sfera publike dhe ajo private kanë moralet e tyre të dallueshëm nga njëri-tjetri – që mbetet kaq tronditës, edhe sot e kësaj dite.

Në fund të fundit, jetojmë në një epokë sovraniteti demokratik, në të cilin “princërit” zgjidhen nga qytetarët, dhe ashtu si zyrtarët e qeverisë, prej tyre pritet që të sillen ndershmërisht, me transparencë dhe përgjegjshmëri. Edhe konteksti global i normave të artit të qeverisjes ka ndryshuar shumë, kryesisht falë ekspansionit të kodifikimit ndërkombëtar të të drejtave themelore të njeriut. Një pjesë e mirë e dhunës shtetërore që në kohën e Makiavelit merrej si e mirëqenë – qoftë pushtimet e perandorive, qoftë kryerja e krimeve – sot janë ligjërisht dhe moralisht të palejueshme, falë zgjerimit të ligjit për të drejtat e njeriut, ligjit humanitar, ligjeve të luftës, si dhe përhapjes së normave, traktateve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Por në drejtime të tjerë, Princi është një udhërrëfyes i mirë në politikë, atë të brendshme dhe të jashtme. Rrëfimet e tij për korrupsionin e zyrtarëve në Firence, për dekadencën në periudhën e fundit të Perandorisë së Romës, dhe mashtrimin e Papëve italianë, shumë pak njerëz do të habisnin në qendrat e sotme të pushtetit. Po kështu, lexuesit modernë nuk do të habiteshin as që, në jetën politike, ndodh më shpesh që mëkatarët, dhe jo shenjtët, të ngjiten në pushtet dhe të mbahen fort pas posteve të tyre.

Stewart M. Patrick është Drejtor i Programit të Institucioneve Ndërkombëtare dhe Qeverisjes Globale në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë / Përgatiti: Bota.al