Nis “Dita e Pastrimit të Botës”, flet udhëheqësi i organizatës që po pastron Kosovën

Nis “Dita e Pastrimit të Botës”, flet udhëheqësi i organizatës që po pastron Kosovën

Udhëheqësi i organizatës jo-qeveritare “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka thënë se ekipi i tij përbëhet nga shumë vullnetarë anë e mbanë Kosovës, derisa ka bërë thirrje për aktivizim masiv qytetar për aksionin global të pastrimit që e udhëheq Kosova.

Hasanaj, në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, ka deklaruar se ideja për të pastruar Kosovën -në koordinim me organizatën botërore “Let’s Do It World”- atij i kishte lindur më 2012 në Slloveni, raporton Insajderi.

“Në fakt, në vitin 2012, bashkë me disa kolegë të mi isha në ditën e pastrimit të Sllovenisë. Atje e morëm motivin për të bërë diçka të njëjtë në Kosovë”, u shpreh Hasanaj për RTK.

Ai tha se mijëravullnetarë i janë bashkuar aksionit për të pastruar Kosovën në Ditën e Pastrimit të Botës, teksa bëri thirrje për aktivizim edhe më madh të qytetarëve për këtë aksion – i cili ka për qëllim mbrojtjen e ambientit.

“Në radhë të parë, situata ekonomike në Kosovë nuk është edhe aq e mirë. Njerëzve u duhet të punojnë dhe nuk kanë shumë mundësi të jenë pjesë e ekipit tonë, por sërish kemi arritur të kemi vullnetarë në çdo vend të Kosovës”, ka deklaruar udhëheqësi i “Let’s Do It Kosova”.

Aksioni më i madh global kundër mbeturinave “Dita e Pastrimit të Botës” ka nisur sot, më 21 shtator, në më shumë se 160 vende të ndryshme të botës me vullnetarë të shumtë, organizatorë dhe kompani përreth globit që i kanë bashkuar forcat për të pastruar planetin.

“Dita e Pastrimit të Botës” ka nisur me aksionet e pastrimit që u organizuan nëpër plazhe në Fixhi, pasuar nga Indonezia, nga ku është raportuar se po marrin pjesë 10 milionë vullnetarë në aksionet që po zhvillohen në gjithë vendin.

Vendi i radhës që ka nisur “Ditën e Pastrimit të Botës” është Hong Kongu me 55 mijë vullnetarë, ndërkohë që shteti i Bullgarisë ka kryer javën e kaluar të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të “Ditës së Pastrimit të Botës”, të cilave u janë bashkuar 433, 683 mijë vullnetarë. Aksionet e pastrimit kanë nisur edhe në Laos, Vietnam, China, Japan, Bangladesh, Maldive dhe Butan.