Nisin hetimet ndaj Agim Bahtirit për nxitje të urrejtjes

Nisin hetimet ndaj Agim Bahtirit për nxitje të urrejtjes

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetime ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, mbi dyshimet për veprën penale të nxitje të urrejtjes.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar Shyqyri Syla, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë për të kryer hetime dhe për të intervistuar dëshmitarë”, ka thënë Syla për Insajderin.

Kryeprokurori Syla ka thënë se momentalisht hetuesit policorë janë duke e marrë në pyetje Bahtirin, raporton Insajderi.

Bahtiri paralajmëroi “konflikt vëllavrasje” nëse formohet pa Lëvizjen Vetëvendosje një shumicë e re parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me leshu me na vjedh dikush pushtetin”, u shpreh Bahtiri mëngjesin e së hënës.

Deklarata e Bahtirit ka ngjallur reagime të akterëve të tjerë politik në vend.

Lëvizja Vetëvendosje, anëtar i së cilës është kreu i Komunës së Mitrovicës, ka thënë përmes një deklarate për media se “nuk kemi nevojë për asnjë konflikt”, por nuk është distancuar nga paralajmërimi për dhunë i anëtarit të saj. /Insajderi.com