Nisin hetimet ndaj 36 personave për dhunën në Kuvend

Nisin hetimet ndaj 36 personave për dhunën në Kuvend

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka nisur hetime ndaj 36 personave për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese nga neni 313”.

Hetimet kanë të bëjnë me ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, kur një grup i protestuesve u futën me dhunë në Kuvendin e Maqedonisë dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve.

Në mesin e personave të arrestuar mëngjesin e 28 nëntorit, me urdhër të Prokurorisë Publike është ish-ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili njëherësh ishte edhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike, deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoslit, Luben Arnaudovskit, Sasho Vasilevskit, Zhaklina Peshevska si dhe disa organizatorët e protestave “Për Maqedoni të bashkuar”.

Njoftohet se arrestimet janë kryer sot pasi kanë mbaruar me procedurën parahetimore, pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve për konstatimin e fakteve.

Ndryshe, ish-ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov, disa deputetë të VMRO-DPMNE-së si dhe organizatorët e protestave “Për Maqedoni të Bashkuar”, për momentin janë në Gjykatën Penale ku edhe po japin dëshmi në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE e cila drejtohet nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, arrestimet e sotme i ka cilësuar si “tentativë për të heshtur opozitën dhe që thyhet rezistenca e opozitës kundër të gjitha politikave anti-shtetërore”.

“VMRO-DPMNE i thërret të gjithë anëtarët e saj dhe simpatizantët e partisë dhe të gjithë qytetarët, të cilët nuk pajtohen me politikën anti-shtetërore të Qeverisë, që të dalin në protesta para Gjykatës Themelore në ora 13:30”, theksohet në kumtesën për media të VMRO-DPMNE-së.