NISMA: PDK ka keqpërdorur gatishmërinë e Limajt për koalicion

NISMA: PDK ka keqpërdorur gatishmërinë e Limajt për koalicion

Funksionari i NISMA-s Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar të hënën se “PDK ka keqpërdorur gatishmërinë e Limajt për koalicion”, njofton Insajderi.

Ai në Klan Kosova, tha se takimi i parë mes Limajt, Hoxhajt e Lushtakut, ka shkuar mirë, por sipas tij “në takimin e dytë gjithçka ka ndryshuar”.

“Para se të shpallej aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Thaçin dhe të tjerët, kemi pasë një takim në të cilin kemi qenë unë dhe Fatmir Limaj bashkë me Enver Hoxhajn dhe Sami Lushtakun. Kemi biseduar për mundësinë për të harmonizuar hapat e bashkëpunimit. Hoxhaj, ka thënë që duan bashkëpunim strategjik me Nisman. Për 15 min e kemi kryer këtë çështje. Pastaj, në takimin e dytë ndryshuan gjërat dhe këtë nuk na e kanë sqaruar as në tavolinë as publikisht”, tha ai.

“Nuk ka pasur vullnet të kryesisë për një koalicion të tille”, kështu kishte deklaruar publikisht kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, por edhe Sherifi.

“Hoxhaj më pas e ka telefonuar Limajn dhe ka thënë që s’ka vullnet brenda kryesisë që të lidhet koalicioni. Mund të them që PDK-ja, e keqpërdorur në mënyrë brutale ndjeshmërinë e Limajt për këtë çështje, që të jetë përkrah bashkëluftëtarëve. Unë nuk jam zhgënjyer, pasi nuk kam pritur më mirë nga ata, edhe pse koalicionin kam dashur ta bëjmë”, rrëfeu ai. /Insajderi.com