Nisma pjesë e qeverisë teknike? – Fatmir Limaj tregon vendimin

Nisma pjesë e qeverisë teknike? – Fatmir Limaj tregon vendimin

Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se partia të cilën ai e udhëheq nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi politik për t’iu shmangur zgjedhjeve.

“Nisma nuk bëhet pjesë e përpjekjeve (për qeveri teknike) me asnjë kusht, edhe nëse Haradinaj do të kërkonte një kandidat për kryeministër pa e rrëzuar qeverinë, unë e Nisma nuk pranojmë asnjë variant tjetër përpos zgjedhjeve. Nuk i shërbejmë vendit me veprime të tilla” tha Limaj.

Ai tha se vendi tashmë është në prag të zgjedhjeve dhe i nevojitet një qeveri që ka “shumicë parlamentare e që do të merret me tema të mëdha siç është dialogu”.

Limaj gjithashtu tregoi se ka pasur një takim të shkurtër me kryeparlamentarin Kadri Veseli, e sipas tij është biseduar shkurt se çfarë do të ndodhë pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Kam pasur takim të shkurtër (me Kadri Veselin) se si do të vazhdohet tutje e çka përmban rruga kushtetuese” tha ai.

I pyetur se kur mund të mbahen zgjedhjet, ai tha se “fundi i shtatorit deri më 15 tetor” mund të jenë ditët kur ato do të mbahen.