Nisma tregon se a do ta votojë Pakon Emergjente të PDK-së, në seancën e së martës

Jehona Zhuniqi

Nisma tregon se a do ta votojë Pakon Emergjente të PDK-së, në seancën e së martës

Kryesia e Kuvendit, gjatë ditës së sotme ka vendosur që propozimi i PDK-së për pakon emergjente 320 milionë euro të trajtohet të martën në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë e jashtëzakonshme do të mbahet duke filluar nga ora 11:00 sipas kërkesës së PDK-së dhe deputetëve nënshkrues, shkruan Insajderi.

Nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme përveç deputetëve të PDK-së, i kanë dhënë edhe deputetët e AAK-së, Nismës dhe 6+.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se pakoja e propozuar është në favor të qytetarëve të dëmtuar nga pandemia.

“Nuk mund të paragjykojë se besoj që të gjitha partitë në Kuvend do të duhej të ishin në favor të masave por do të shohim se si do të zhvillohet seanca të martën”, tha ai.

“Meqenëse qeveria nuk mund të merr hapa legjislativ për të kërkuar nga Kuvendi marrjen e veprimeve, e besojmë që Kuvendi duhet të luajë rolin që e ka si institucioni më i lartë në vend, dhe të marrë masa për ndihëm ekonomike në sektorin privat në vijën e parë të pandemisë. Ne morëm një vendim që të shqyrtojmë se cilat janë masat që duhet marrë në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi, ka thënë që pret nga të gjtiha partitë që ta votojnë këtë pako.

Por, cili do të jetë qëndrimi i Nismës Socialdemokrate në seancën e së martës.

Shefi i grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala ka thënë për Insjaderin se, pavarësisht nënshkrimeve të dhëna do ta shikojnë këtë pako, pasi që edhe Nisma ka elementet e saj të cilat dëshiron t’ i fus në këtë Pako Emergjente.

“Njëkohësisht kemi edhe ne disa elemente tonat të cilat duhet t’i fusim brenda Pakos. Kështu që në seancën e së martës do të koordinohemi të gjitha shefat e grupeve parlamentare dhe do të arrijmë një konsensus që të votohet një pako e cila pako do t’i prek të gjitha shtresat e interesit të qytetarëve në Kosovë. Ne e kemi mbështet me nënshkrime, nëse ata arrijnë t’i fusin edhe disa elemente tonat, ndoshta edhe janë në Pakon e PDK-së, atëherë ne do ta votojmë këtë pako”, ka thënë Shala, për Insajderin.

Ai, ka thënë se arsyeja se përse i kanë dhënë nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, është që duhet të rishikohet edhe Pakoja e Qeverisë edhe ajo e PDK-së.

“Me kërkesë të PDK-së, Nisma Socialdemokrate, i ka dhënë nënshkrimet e saj për seancë të jashtëzakonshme sepse e ka pa të arsyeshme që të rishikohet Pakoja e propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njëkohësisht të shikohet edhe Pakoja e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai.

Në këtë seancë, PDK-ja ka propozuar miratimin e një pako emergjente financiare prej 320 milionë euro për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat, bizneset dhe gjitha kategoritë shoqërore që po ballafaqohen me pandeminë e koronavirusit.

Gjatë prezantimit të kësaj pako financiare ditë më parë, kryetari i PDK Kadri Veseli ka ftuar të gjitha grupet parlamentare pa dallime politike që ta mbështesin këtë pako që do ti ndihmojë qytetarët dhe bizneset për përballjen me pandeminë koronavirus.

Ditë më parë Qeveria e Kosovës, ka miratuar Pakon Emergjente prej 179.6 milionë euro, përmes së cilës synon të ndihmojë sektorin privat./Insajderi.com