Nitaj i kundërpërgjigjet Mustafës: Edhe humbja ka dinjitet

Nitaj i kundërpërgjigjet Mustafës: Edhe humbja ka dinjitet

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është kundërpërgjigjur kryeministrit në detyrë Isa Mustafa, pasi shkrimit të Mustafës në Facebook i cili thoshte se PDK-së, AAK-së e Nismës iu rrezikohej kapja e shtetit nga njerëzit që i kanë të instaluar në institucione.

Nitaj, duke ia kujtuar Mustafës rrëzimin nga Qeveria dhe rezultatin në zgjedhje, thotë se edhe humbja e ka njëfarë dinjiteti.

Zëdhënësi i Haradinajt ka kërkuar nga kreu i LDK-së që ta thotë  vetëm një emër të një zyrtari të AAK-së që është “instaluar” në institucione apo që është në pushtet.

“Kryeministri akoma në detyrë, Isa Mustafa, paska shkruar se “PDK-së, AAK-së e Nismës iu rrezikohej kapja e shtetit nga njerëzit që i kanë të instaluar në institucione. Isa Mustafa, bëhuni njëherë i sinqertë dhe thuaje vetëm një emër të një zyrtari të vetëm të AAK-së që është “instaluar” në institucione apo që është në pushtet”.

“Ju e dini që AAK ka qenë në opozitë qe tri mandate dhe nuk ka qenë AAK-ja ajo që i ka pushtuar bordet e agjensitë, universitetet shërbimet diplomatike, e deri te ministritë, siç po behët edhe në këto grahmat e fundit të qeverisë suaj. Ne e kuptojmë që jeni me vaj në buzë, por edhe humbja e ka njëfarë dinjiteti”, ka përfunduar Nitaj.