Një “arnaut” për Kosovën – menaxheri i kombëtares: Ja arsyeja e vetme pse Uysal nuk po luan dot me ne

Një “arnaut” për Kosovën – menaxheri i kombëtares: Ja arsyeja e vetme pse Uysal nuk po luan dot me ne

Vetëm një arsye po e mban larg Kosovës futbollistin e Beshiktashit, Nexhip Uysal, historia e të cilit me “Dardanët” ka nisur tri vite më parë.

Bajram Shala, menaxheri i kombëtares që trajnohet nga Bernard Challandes, ka thënë sot për Insportin se Uysalin po e mban larg Kosovës një rregull i Federatës Turke të Futbollit.

“Ai [Uysal, v.j] mund ta humbte statusin e lojtarit vendor në Turqi nëse do vinte tek Kosova”, është shprehur Shala, teksa ka thënë se kjo është e vetmja arsye pse 28-vjeçari me origjinë shqiptare nuk i është bashkuar Kosovës deri tash. “Normalisht që Uysalit nuk i ka konvenuar ta humbte këtë status”.

Shala ka thënë se Uysal është shprehur i interesuar t’i bashkohej Kosovës pas ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve.

“Me Nexhipin kam folur edhe pas ndeshjeve të para të Nations League. Ai ka pasur interes të vijë; madje ka qenë goxha i interesuar të vijë tek Kosova, si ai edhe agjentët e tij”, ka vazhduar menaxheri i kombëtares kosovare, në një prononcim për Insportin.

Insporti raportoi sot se si Uysal, në rrjetin social Instagram, ka vendosur një fotografi të flamurit të Kosovës pranë atij të Turqisë.

Uysal kishte qenë pranë Kosovës tri vite më parë, kur ish-selektori Albert Bunjaki ishte shprehur i gatshëm ta afronte atë tek “Dardanët”. Bunjaki ishte shprehur optimist për afrimin e Uysalit, por kjo nuk ndodhi kurrë.

“Menjëherë pasi UEFA na pranoi, ne e kontaktuam Uysal-in dhe menaxherin e tij. Nexhip ka prejardhje nga Kosova dhe përfaqësuesja e Kosovës dëshiron që t’ia ofrojë atij këtë uniformë. Në bisedimet e para që kemi bërë jemi mjaft optimist”, kishte thënë Bunjaki në një intervistë për mediet turke më 2016.

Uysal ka zhvilluar vetëm një ndeshje me Turqinë. Ai kishte debutuar me përfaqësuesen turke më 20 maj të vitit 2010 në një miqësore ndaj Hondurasit. Ajo ka qenë hera e parë dhe e fundit që futbollisti shqiptar ka luajtur me përfaqësuesen turke.

Ai luan në pozitën e mesfushorit defensiv, mirëpo mund të alternohet shumë lehtë edhe në pozitën e mbrojtësit të qendrës. Mbrojtësi, stinorin e kaluar është shpallur kampion i Turqisë me skuadrën e Beshiktashit.