Një darkë mbi 2600 euro për presidentin

Një darkë mbi 2600 euro për presidentin

Në mesin e muajit maj të këtij viti, asokohe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, mori rrugën drejt Republikës së Kosovës për një vizitë disaditore.

Edhe pse presidenti shqiptar, Nishani, kishte arritur në Kosovë më 10 maj, në ditën e rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, ai zgjodhi që vizitat zyrtare t’i niste një ditë më vonë, kur të ‘qetësohej’ pak situata.

Më 11 maj ai u takua me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. Ky i fundit e priti atë me Gardën ceremoniale të FSK-së në sheshin që mban emrin e rivalit të dikurshëm politik “Ibrahim Rugova”.

Vizita e presidentit Nishani vazhdoi me takimin e kryeministrit Isa Mustafa, ndonëse ky ende ishte i tronditur nga rrëzimi i qeverisë një ditë më herët.

Në vizitën e tij në Kosovë ai u shpall “Qytetar nderi i Komunës së Drenasit”.

Kuvendi Komunal i Drenasit kishte vendosur unanimisht që presidentit shqiptar t’ia jepte këtë nder për kontributin e tij për Kosovën dhe figurat e tij.

“Presidenti Nishani, me vota unanime të Kuvendit shpallet Qytetar Nderi i Komunës me këtë motivacion për kontributin e çmuar për shtetin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, vënien e njohjes së Shpalljes së Pavarësisë së saj në agjendat prioritare të tij, në veçanti për vlerësimin dhe lidhjet e veçanta emocionale me Drenicën. Shkëlqesia e tij, z. Nishani ka çmuar figurat më emblematike të Drenicës dhe Kosovës, Adem Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban Polluzhën e Mehmet Gradicën, duke u njohur dhe rikonfirmuar pavdekësinë për shtetin shqiptar”, thuhej në tekstin e nderimit të tij.

Një darkë për presidentin

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, për ta nderuar presidentin e Shqipësirë, Bujar Nishani, u kujdes që ta shtrojë një darkë.

Në 16 majin e këtij viti MPJ-ja e kishte rezervuar një restorant ekskluziv. Faturat e kësaj darke i ka siguruar Gazeta Insajderi. Aty shihet se kjo darkë ka kushtuar 2667,10 euro.

Ministria e Punëve të Jashtme e ka arsyetuar këtë shumë të faturës duke thënë se aty ishin mbi 40 persona. Madje edhe përfaqësues fetarë, shkrimtarë e personalitete tjera.

“Në këtë darkë ka marrë pjesë delegacioni nga Shqipëria dhe Kosova, me formatin 1+9, pra 20 persona. Nga ana e Kosovës pos përfaqësuesve të MPJ kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë, shkrimtarë dhe personalitete tjera të jetës publike”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e MPJ-së dhënë Insajderit.

Pjesë e kësaj darke MPJ thotë se kanë qenë edhe stafi i sigurisë dhe policia që kujdeseshin për sigurinë e presidentit.

“Përveç tavolinës kryesore, në këtë darkë zyrtare kanë qenë 14 pjesëtarë stafit të sigurisë dhe të policisë, të cilët janë kujdesur për sigurinë e delegacionit të Presidentit Nishani si dhe stafi teknik prej 8 personash”, thuhet më tej në përgjigjen e MPJ-së.

Ndër tjera, duke e arsyetuar faturën, MPJ thotë se restoranti ka qenë ekskluziv.

“Sipas të dhënave më lartë dhe duke pasur parasysh që darka për ta nderuar presidentin Nishani është zhvilluar në një restaurant ekskluziv, totali i faturës ka rezultuar 2667,10 EUR”, thotë MPJ.

Në ueb-faqen e MPJ-së kjo darkë nuk është paraqitur si një aktivitet apo takim që ministri Enver Hoxhaj ta ketë pasur me presidentin Nishani./Insajderi.com