Një dekadë në krye të LDK-së, historia e Mustafës ndër vite

Një dekadë në krye të LDK-së, historia e Mustafës ndër vite

Pas më shumë se 10 vitesh, Isa Mustafa të hënën (15 shkurt 2021) dha dorëheqje nga pozita e të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.

Para se të angazhohej në këtë pozitë, Mustafa ka pasur disa pozita të rëndësishme shtetërore si: kryetar i Prishtinës, ministër i Ekonomisë dhe Financave dhe këshilltar i ish-presidentit, Fatmir Sejdiu.

Më 7 nëntor 2010, ai u bë udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke mposhtur kundërshtarin Fatmir Sejdiun.

Duke qenë kryetar i LDK-së, Mustafa drejtoi edhe Prishtinën, deri në vitin 2013, kur humbi garën e drejtpërdrejtë me Shpend Ahmetin, atëkohë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Tronditja ishte veçanërisht dramatike kur ndodhi në atë që ishte njohur historikisht si bastion i LDK-së.

Pas kësaj humbje disa zyrtarë i kërkuan edhe dorëheqjen, por ai refuzoi duke thënë se do të fitonte Kosovën.

Por, kjo humbje e Mustafës nuk ishte e vetmja. E gjithë karriera e tij politike u shoqërua me dështime elektorale. Të vetmet zgjedhje të cilat LDK-ja i fitoi në krye me Mustafën ishin ato lokale të vitit 2013, kur fitoi më së shumti komuna, por humbi Prishtinën.

Ndonëse nuk arriti t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Mustafa arriti të bëhej kryeministër i vendit me 8 dhjetor të po atij viti, pasi LDK-ja kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Mustafa ishte kryeministri i gjashtë i Kosovës, pas Hashim Thaçit, Agim Çekut, Bajram Kosumit, Ramush Haradinajt e Bajram Rexhepit.

Mustafa qëndroi në pozitën e kryeministrit derisa pasardhësi i tij, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u zgjodh nga parlamenti në shtator të vitit 2017, pas zgjedhjeve parlamentare.

Më 3 gusht 2019, Isa Mustafa u rizgjodh si udhëheqës i LDK-së për herë të tretë.

Me kandidate për kryeministre, Vjosa Osmanin, LDK-ja arriti sukses në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019.

Duke u radhitur në vend të dytë pas Lëvizjes Vetëvendosje, LDK-ja arriti të marrë gjithsej 206 mijë e 516 vota.

Ndërsa, humbjen më të thellë kjo parti e pësoi në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021, me kandidatin për kryeministër Avdullah Hoti. Ajo mori gjithsej 102 mijë e 961 vota, pa ato të diasporës dhe me kusht, apo 13,08% të totalit.

Ky rezultat i dobët zgjedhor ishte dhe arsyeja e dorëheqjes së Isa Mustafës./Insajderi.com