Një grua tjetër shtatzënë me Covid-19 në Prishtinë, gjinekologu tregon gjendjen e saj

Një grua tjetër shtatzënë me Covid-19 në Prishtinë, gjinekologu tregon gjendjen e saj

Edhe një grua tjetër shtatzënë është e prekur nga koronavirusi Covid-19 në Kosovë.

Gruaja është nga Prishtina në mesin e 20 personave që rezultuan pozitiv me Covid-19 më 11 prill, për të cilat Instituti Kombëtar pati raportuar se ishin të gjitha raste kontakti.

Lajmin për gruan shtatzënë të prekur me koronavirus e ka konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Dr. Jakup Ismaili. Në një deklaratë për gazetën shneta, Ismaili ka thënë se shtatzëna është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Pacientja është duke u trajtuar në shtëpinë e saj pasi është në gjendje të mirë shëndetësore. Gruaja është në javën e 36-të dhe nuk ka asnjë komplikim shëndetësor nga virusi. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të dhe ajo po iu përmbahet udhëzimeve tona në aspektin gjinekologjik, si dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, ka deklaruar Ismaili.

Kujtojmë se edhe një grua tjetër nga Gjakova është konfirmuar mbrëmë me koronavirus në Kosovë. Ajo u hospitalizua në njësinë intensive të Klinikës Infektive në QKUK. Pacientja është në javën e 28-të të shtatzënisë dhe në bazë të gjendjes së saj pritet të trajtohet nga konzoliumi i QKUK-së i cili përbëhet nga infektologë, anesteziolog, gjinekolog dhe neonatolog.