Një ish-këshilltar politik dhe një prokuror që akuzoi imamët – profilet e dy kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

Një ish-këshilltar politik dhe një prokuror që akuzoi imamët – profilet e dy kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale

Një ish-këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë dhe ish-kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe një prokuror që njihet për aktakuzën e ngritur ndaj pesë imamëve kosovarë, janë kandidatë për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Njëri prej Blerim Isufajt, ish-këshilltar i ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe Haki Gecajt, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, pritet të emërohet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të enjten. Kjo pasi votimi për këtë pozitë është shtyrë për një ditë të mërkurën.

Komisioni për Vlerësimin e Kandidatëve për Kryeprokuror të ri të PSRK-së, disa javë më parë kishte rekomanduar ish-kryesuesin e KPK-së, Blerim Isufaj të cilin e kishin vlerësuar me 40.1 pikë, kurse Haki Gecaj, ishte vlerësuar me 42.9 pikë.

Kush janë dy kandidatët që synojnë udhëheqjen e Kryeprokurorisë Speciale të Kosovës?

Blerim Isufaj, gjatë kohës së qeverisë së parë të Hashim Thaçit, përgjatë viteve 2008-2010, ishte këshilltar politik i ish-ministres së drejtësisë, Nekibe Kelmendi. Në vitin 2010, ai kalon në prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ku e ka ushtruar detyrën e prokurorit.

Isufaj fillimisht është dekretuar prokuror i Qarkut dhe Krimeve të Rënda nga viti 2010 deri në vitin 2013, ndërsa që nga gushti i 2013-ës e deri në vitin 2016 e ka mbajtur pozitën e prokurorit në Prokurorinë Speciale, për të kaluar më pas në janar të 2016-ës si kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës të cilin post e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion rezulton se Isufaj posedon një truall në sipërfaqe prej katër ari, vlera e të cilit është 60 mijë euro.

Isufaj posedon edhe gjashtë ngastra toke të cilat i ka në posedim të përbashkët me familjarë dhe të cilat rezulton se janë të trashëguara, vlera e përgjithshme e të cilave është 212 mijë euro.

Po ashtu, në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Blerim Isufaj ka deklaruar edhe një banesë për të cilën ka thënë se është në emër të bashkëshortes së tij, të cilën e kanë blerë me kredi dhe vlera e përgjithshme e të cilës është përllogaritur 30 mijë euro.

Ndërkaq, kandidati tjetër, Haki Gecaj është aktualisht prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Gecaj në vitin 2002 e ka dhënë provimin e jurisprudencës, kurse në vitin 2004 është emëruar prokuror në Prokurorinë Publike Komunale në Prishtinë.

Nga pasuria të cilën e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion rezulton se Haki Gecaj posedon një banesë në sipërfaqe prej 107.87 m2, vlera e të cilës është 64 mijë e 722 euro si dhe garazhin me sipërfaqe 12m2 dhe vlerë 4 mijë euro.

Gecaj ka të deklaruar edhe një tokë dhe mal me sipërfaqe një hektar në vlerë 50 mijë euro për të cilën ka thënë se është e trashëguar dhe është në emër të përbashkët me bashkëfamiljarët.

Me 10 nëntor 2014, djali i Haki Gecaj, Valdrini, ishte kapur me një sasi droge prej 1.85 gramë marihuanë, mirëpo, Prokuroria ia kishte mbyllur rastin dhe si i tillë, djali i Haki Gecajt ishte liruar nga hetimet.

Po ashtu, Gecaj njihet për aktakuzën e ngritur ndaj imamëve Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga, Mazllam Mazllami si Fuad Ramiqi. /Insajderi.com