Një muaj arrest shtëpiak për ata që nuk dhanë ndihmë për të moshuarin që vdiq në trotuar

Një muaj arrest shtëpiak për ata që nuk dhanë ndihmë për të moshuarin që vdiq në trotuar

Dy të arrestuarit për mosdhënie të ndihmës për 63 vjecarin i cili vdiq në trotuarin e magjistrales Gjilan-Ferizaj me 2 korrik, pasi kanë përfunduar masën e ndalimit prej 48 orëve u është caktuar një masë tjetër e arrestit.

Prokurori i cështjes nga Prokuroria e Gjilanit, Agron Uka, i ka thënë Insajderit se ndaj dy të arrestuarave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

“U është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve”, ka thënë Uka për Insajderin.

Në ndërkohë, Prokuroria po vazhdon punët për identifikimin e dy personave të tjerë që kanë kaluar pranë trupit të moshuarit i shtrirë në trotuar.

“Besoj që gjatë ditës enjte ose të premte do të arrijmë të identifikojmë edhe të tjerët”, ka thënë Uka.

Insajderi ka raportuar se të dy të arrestuarit,  i arrestuari i parë F.M nga Gjilani i lindur në vitin 1991,  shoferi i veturës së katërt e cila sipas videos shihet që parakalon me një kamionetë, ngjyrës së bardhë që bartë disa skele pune dhe i arrestuari i dytë, H.H nga Gjilani 1975  i cili vozitë një kamionetë të kuqe që bartë materiale ndërtimore (blloqe) kanë thënë para hetuesve të prokurorisë në Gjilan se fillimisht nuk e kanë ditur se kanë përgjegjësi për të dhënë ndihmë dhe më pas kanë dhënë arsyen e dytë se kanë qenë “me mjete transportuese”./Insajderi.com