Një muaj para se të publikohet raporti i BE-së, Prokuroria dhe Policia i çojnë selam BE-së për luftimin e korrupsionit

Një muaj para se të publikohet raporti i BE-së, Prokuroria dhe Policia i çojnë selam BE-së për luftimin e korrupsionit

Në prill BE-ja do të dalë me një raport të progresit për Kosovën pas ratifikimit të demarkacionit, ku edhe do të bëhet vlerësimi i luftës kundër korrupsionit në Kosovë. E kur kanë mbetur edhe një muaj nga publikimi i këtij raporti, Prokuroria dhe Policia janë takuar për t’u koordinuar në luftën kundër korrupsionit…

Me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është mbajtur sot një takim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtorin e Departamentit të hetimeve, Riza Shillova, Drejtorin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Nazim Sahiti, Drejtorin e Divizionit  për Krime të Rënda, Fehmi Hoti si dhe Shefin e Task Forcës kundër korrupsionit në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri, ku kanë diskutuar lidhur me shenjëstrimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat kërkohen të trajtohen në mënyrë që të ketë liberalizim të vizave

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi, iu ka dhënë detyra të reja dhe ka kërkuar nga të lartcekurit që t’i koordinojnë veprimet e tyre për trajtimin e rasteve të cilat tashmë janë me prioritet nga Prokurori i Shtetit, si dhe të merren veprime konkrete për zbardhjen e këtyre rasteve.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se me qëllim të ngritjes së efikasitetit Kryeprokurori Lumezi, ka kërkuar raportim të rregullt lidhur me trajtimin e këtyre rasteve, që janë duke u trajtuar nga Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës.

Ai është shprehur se është i vendosur në zgjidhjen sa më të shpejtë të gjitha këtyre rasteve e veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave

Por, duket se gjithka po ndodhë me vonesë. Kjo pasi që raportuesja në Komisionin Evropian, për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ditë më parë ka bërë të ditur se Komisioni Evropian do të dalë me raport gjatë muajit prill, se sa ka bërë progres Kosova në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, me theks të veantë trajtimi i rasteve të mëdha, e që janë kusht për liberalizimin e vizave.

E kjo i bie që zyrtarët e institucioneve kompetente që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, janë angazhuar hi më shumë se një muaj, para Komision Evropian do të bëjë prezantimin e të arriturave të Kosovës, në këtë fushë.

“Komisioni Evropian do të marrë një raport të progresit në muajin prill. Nëse aty janë rekomandimet pozitive, unë menjëherë do ta vendos këtë çështje për votim në parlament. Skenari ideal do të ishte që kjo të ndodhë para pushimit vjetor”, pati thënë Fajon.

Por ajo ka shtuar se përve kësaj, ka edhe pengesa tjera, për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Pas raportit, shtetet anëtare duhet të japin pëlqimin  tyre e më pas duhet të punojmë me ministrat në Këshillin e Evropës”, kishte thënë Fajon.

Në momentin kur Komisioni Evropian do të dalë me këtë raport, i cili nëse do të jetë i paforshëm për Kosovës, atëherë vendi seriozisht mund të humb mundësinë për liberalizim të vizave gjatë këtij viti.

Kjo përshkak se Deputetët në Parlamentin Evropian, pas muajit qershor do të kenë agjenda tjera, e që nuk do të lidhen me Kosovën.

Kosova nuk i ka punët mirë me disa vende të BE-së. Pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet. Ky do të jetë problem i madh që vendet sikurse Spanja, Greqia, Rumania, Qipro e Sllovakia të binden për liberalizim të vizave për kosovarët, raporton Insajderi.